Policia e Tiranës ka zbuluar se mes 14 mjekëve të vënë në hetim, dy prej të cilëve janë arrestuar e të tjerët janë lënë në arrest shtëpie, kishte dhe prej tyre që merrnin rryshfet 50 mijë deri në 100 mijë lekë të vjetra e ndërmjetësonin për qytetarët që donin të bënin tamponin për Covid-19.
Nga hetimet katër mujore ka rezultuar se janë implikuar në disa episode korruptive si: marrje e vlerave monetare që varionin nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja, në këmbim të mosndëshkimit me masë administrative të subjekteve të cilët ishin konstatuar me shkelje të kushteve higjieno-sanitare; sigurim i librezave shëndetësore të lëshuara mënyrë fiktive, për shtetas të cilët nuk u janë nënshtruar vizitave mjekësore, duke përfituar shumën 2.000 lekë të reja për çdo librezë; ndërmjetësim me qytetarë të ndryshëm për të bërë tamponin për COVID-19, kundrejt shumave monetare nga 5.000 deri 10.000 lekë të reja; marrje e shumave monetare subjekteve të ndryshme tregtare që të mos i ndëshkonin me masa administrative kur konstatoheshin me shkelje.
