Policia e Elbasanit ka arrestuar dy persona, pronarin dhe punëtorin e një marketi pasi ka zbuluar 2.6 kg kanabis.
Mbi bazën e informacioneve të marra në rrugë operative se 2 shtetas merreshin me shitjen e lëndës narkotike, policia organizoi dhe finalizoi operacionin policor të koduar “Marketi”, në kuadër të të cilit u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasve:
E. S., 31 vjeç dhe R. D., 22 vjeç, të dy banues në Cërrik.
Shërbimet e Policisë, gjatë kontrollit të ushtruar në marketin me pronar shtetasin E. S. dhe punëtor shtetasin R. D., gjetën dhe sekuestruan në cilësinë e provës materiale rreth 2.6 kg lëndë narkotike kanabis dhe një aparat celular.
Materialet procedurale do t”i kalojnë Prokurorisë pranë Rrethit Gjyqësor Elbasan, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.
