Close Menu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Facebook Instagram
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise
Facebook Instagram
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
  • Kreu
  • Aktualitet
    • Politikë
    • Kronikë
    • Rajon&Bota
    • Ekonomi
  • Lifestyle
    • Shëndeti
    • ShowBiz
    • Horoskopi
    • Kulinari
  • OPED
  • Vendi Im
  • Gjurmë
  • Teknologji
  • Sporti
Abonohu
Tirana News AlbaniaTirana News Albania
OPED

Vuçiçi vërtetë është e keqja e Serbisë?! Për protestuesit, zgjidhja për Kosovën është pajtimi i popujve

12:46 / February 4, 201918 Mins Read
Facebook LinkedIn Email WhatsApp
darko hudelist
Share
Facebook LinkedIn Email WhatsApp

Të shtunën me 26 janar, u mbajt në Beograd një protestë qytetare e re kundër Presidentit Aleksandër Vuçiç, e teta për nga radha, me emërtimin “Një nga 5 miljonët“. Këto protesta në kryeqytetin e Serbisë mbahen, me një ritëm të rregullt, një herë në javë, çdo të shtunë pasdite, që nga 8 dhjetori 2018, si njëfarë vazhdimi i protestës, “Stop këmishëve të përgjakura“, të mbajtur me 30 nëntor 2018, në Krushevac, me rastin e sulmit fizik ndaj liderit të së Majtës së Serbisë Borko Stefanoviç. Përveçse në Beograd, këtë fundjavë protestat u mbajtën edhe në shumë qytete të Serbisë: në Nish, Kragujevac, Kraljevo, Pozhega, Çaçak , Bos, Zajeçar etj.


Gjithsesi, megjithëse situata politike në Serbi nga dita në ditë po bëhet gjithnjë e më mbytëse dhe po ndërlikohet akoma më shumë, në Beograd, kësaj here nuk u grumbulluan aq shumë demonstrantë si më parë. Mua më duket se kësaj herë nuk kishte më shumë se dymijë veta (sëpaku në fillim të protestës, në sheshin para Fakultetit filozofik, megjithëse kur karvani i protestuesve filloi të lëvizë drejt ndërtesave të RTS dhe qeverisë së Serbisë, numuri i protestuesve, si zakonisht u rrit disi sepse karvanit iu shtuan edhe të tjerë shën. aut). Shkaku i kësaj, me siguri, ishte fakti se temperatura shumë e ulët -4 gradë Celcius, pas një shtrëngatë dëborë që u lëshua mbi Beograd një natë më parë.
Për hir të krahasimit, Vuçiçi në pritjen ceremoniale të Presidentit rus Putin, në të ashtuquajturin kontramiting, në sheshin para Tempullit të Shën Savës me 17 janar, arriti të grumbullojë më shumë se 100 mijë veta (por ama me një organizim të përkryer dhe të superkontrolluar, në të cilin u grumbulluan 1.300 autobuzë nga e tërë Serbia dhe me simulacione speciale, në formën e pagesës së dietave, sanduiçëve dhe lëngjeve të frutave, për të gjithë “kontramitingistët“ e mobilizuar. Shën. i aut.).


Protestën e së shtunës në Beograd e ndoqa sëbashku me dy shkencëtarë nga Beogradi (në fushën e teorisë së shkencave shoqërore): me politologun Gjorgje Paviçeviç (lindur në vitin 1966. Në Fakultetin e shkencave politike ai jep lëndën bazë “Teoritë moderne të politikës“) dhe me historianin e ri Srgjan Millosheviç (lindur në vitin 1982, punon në Institutin për historinë moderne).


Nuk e bëra këtë rastësisht: javën e shkuar protestat në Serbi hynë në një fazë më të lartë dhe më të avancuar, në të cilën, në mënyrë shumë aktive, u përfshinë edhe profesorë të Universitetit të Beogradit dhe disa universiteteve të tjera në mbarë Serbinë, nënshkruesit e letrës për mbështetjen me “protestuesit“ (disa këtu i quajnë gragjanistët- „qytetaristët“. Shën. aut). Përshembull, protestën e mbështetën 130 profesorë të Fakultetit Filozofik në Beograd, më shumë se tri të katërtat e profesorëve dhe mësimdhënësve të Fakultetit të Shkencave politike në Beograd, profesorë të Fakultetit të Drejtësisë, të Arteve Dramatike etj.


Ndërmjet nënshkruesve ishte edhe historiani dhe profesori Radosh Ljushiç, i cini numërohet mes themeluesve të Partisë përparimtare serbe që në vitin 2008.


Nuk është e lehtë të detektosh dhe të shpjegosh se kush e si proteston në Beograd dhe në Serbi dhe për më tepër për cilët grupe “protestuesish“ bëhet fjalë saktësisht. Profesor Paviçeviçi më shpjegoi se këtu janë angazhuar disa grupime krejtësisht të ndryshëm mes tyre, organizata dhe qarqe, gjë nga e cila unë, në fund, nxora konkluzionin se këto protesta funksionojnë sipas parimit të “rrathëve jokoncentrikë“, në të cilat shpesh nuk është e qartë deri në fund se kush luan rolin kryesor dhe kush vetëm bën asistencë.


Organizatorët direktë të protestave janë rekrutuar, sipas fjalëve të Pavieviçit, nga grupimi i cili që parvjet, pas zgjedhjeve presidenciale të vitit 2017, patën organizuan të ashtuquajturën “Protestë kundër diktaturës“, gjithashtu e drejtuar kundër të ashtuquajturës udhëheqje “absolutiste“ e Presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiç. Në radhët e tyre është edhe studentja e Fakultetit të Shkencave Politike (po ashtu edhe studente e Pavieviçit), Jelena Anasanoviç, të cilën disa në Beograd e emërtojnë “koordinatore të protestave“. Ajo me fishkëllimin dhe fjalimin ndezës hapi edhe protestën më të fundit atë të datës 26 janar.
Nga ana tjetër, ose disi sipas një parimi tjetër, protestave iu bashkuan edhe disa parti politike opozitare me anëtarësinë e tyre. Këta opozitarë në protesta vinë kolektivisht dhe të organizuar, d.m.th në grupe. Më të shumtët janë anëtarët e Partisë Popullore të Vuk Jeremiçit dhe partisë së djathtë “Dveri“ që udhëheq Boshko Obradoviçi. Në protesta rregullisht mund të shihet dhe Dragan Xheillasi, një prej themeluesve dhe liderve të Lëvizjës Opozitare “Aleanca për Serbinë“ (e cila në gjirin e saj përfshin edhe Partinë Popullore dhe atë Dveri- të mësipërme).


Protestuesve gjithashtu u bashkohen edhe pjesëtarët e të ashtuquajturës organizatë socialiste “Marks 21“, shumica studentë majtistë që para pak kohësh i morën për duarsh Unionin Socialdemokrat, profesorit të psikologjisë në Fakultetin Filozofik në Beograd njëkohësisht edhe politikanit Zharko Koraç duke i dhënë drejtimin e së majtës (ekstreme).


Këtu bëjnë pjesë gjithashtu edhe grupime deri diku si puna e “Zhivi Zid“ (Muri i gjallë) nga Kroacia, një organizatë që emërtohet Organizata e Aksionit të përbashkët “Çati mbi kokë“.


Më tej, shumë njerëz marrin pjesë në protestë në mënyrë individuale, duke shtuar se në protestat e Beogradit (në ndryshim nga ato në disa qytete në brendësi të Serbisë) nuk shfaqen nxënësit e shkollave të mesme, por qytetarë që nga mosha e studentit e më të moshuar.
Një rol të veçantë në protestat e Beogradit kanë edhe aktorët popullorë, si puna e vëllezërve Branisllav dhe Sergej Trifunoviç dhe Nikolla Kojo. Për Beogradin është disi e zakonshme që në protesta kundër pushtetit të marrin pjesë shpesh edhe aktorët, siç ishin përshembull, në demonstratat e famshme te Çesma e Terazijes të viti 1991 që u udhëhoqën nga aktori Branisllav Leçiç. Aktori Sergej Trifunoviç për më tepër ditët e fundit është zgjedhur edhe si udhëheqës i Lëvizjes së Qytetarëve të Lirë opozitare, në krye të së cilës ishte deri vonë Sasha Jankoviçi.


Gjithashtu në protesta janë angazhuar po ashtu edhe gazetarë, ndër të cilët një vend të veçantë zë edhe gazetari shumëvjeçar i gazetës “Veçernje Novosti“, Srgjan Shkoro (ndërkohë siç thonë ai ka mbetur pa punë), që është edhe autori i librit “Vuçiçi dhe censura“.
Nga pikëpamja pragmatike dhe konceptuale, ndër mediat e shkruara protestat në mënyrën më intensive i ndjek dhe i mbështet gazeta ditore liberal-demokarate “Danas“. Ditëve (dhe javëve) të fundit kjo gazetë, deri diku të kujton buletinin “Revolucioni në lindje e sipër“ për shkak të së cilës disa e krahasojnë me gazetën “Nasha Borba“ (Lufta jonë) e viteve nëntëdhjetë, nga koha e udhëheqjes së Sllobodan Millosheviçit (Gazetën “Nasha Borba“ Millosheviçi e pati përdorur për të nxitur “protestat kundër burokracisë“ të fillimviteve nëntëdhjetë të shekullit të kaluar që i dhanë atij pastaj pushtetin absolut. Shën. redaksisë).


-Të gjithë këto qarqe dhe grupime- më tha profesori Gjorgje Paviçeviç- dallohen shumë mes tyre, dhe janë shumë larg të qenit unikë dhe të bashkuar. Ka këtu liberalë dhe djathtistë, edhe majtistë. Megjithatë të gjithë kanë të përbashkët përcaktimin antivuçiçian, domethënë ideja se pushteti aktual i Vuçiçit po e çon vendin dhe shtetin në drejtim të keq. Të përbashkët kanë pikërisht dy qëndrime politike. I pari, se pushteti po e ndan shoqërinë në “tanët“ dhe të “tyrët“; dhe e i dyti, se në Serbi po ndodh rishpërndarje e madhe e pasurisë ose më mirë të themi plaçkitje gjatë së cilës po përvetësohen shumë burime, natyrisht nga ana e pjesëtarëve të Partisë Përparimtare (ose atyre që janë të afërt me këtë parti ose më mirë të themi me Kryetarin e saj Vuçiçin).
Në opinionin publik serb tani po bëhet një polemikë e ashpër nëse duhet që protestat e filluara të artikulohen pak (ose shumë) politikisht, kësisoj që nga pikëpamja organizative dhe konceptuale t’i drejtojnë politikanët profesionistë opozitarë, ose nëse duhet që gjithçka të zhvillohet gjerësisht dhe në mënyrë jokonceptuale, e kësisoj në një masë të madhe edhe spontane, si edhe deri tani. Mbështetës ka si njëra palë ashtu edhe tjetra.


Politikanët opozitarë, përfshirë Xhillasin dhe Jeremiçin, janë të vetëdijshëm për përmasat e tyre jopopullore në radhët e qytetarëve serbë, e për pasojë në protesta marrin pjesë më shumë “si anash“, duke i ndihmuar ato më shumë nga ana logjistike dhe parimore. Por gjithsesi, ky nuk është ndonjë shpenzim i madh: altoparlantë, kamionë dhe ruajtës të qetësisë për një miting nuk kushtojnë shumë (e kam llogaritur unë vetë), vetëm 500-600 euro.


Një ditë para protestës sonë të datës 26 janar, vizitova selinë e Këshillit të Qytetit të Beogradit për partinë Demokratike dhe Aleancës për Ndryshime, në Terazije, të ish Kryetarit të Partisë demokratike dhe ish Kryebashkiakut të Beogradit, e tani liderit të tanishëm të Lëvizjes opozitare Aleanca për Serbinë, njëkohësishte dhe një prej kundërshtarëve më të ashpër politikë të Vuçiçit, Dragan Xhillasin. Në bisedën që zgjati një orë, Xhillasi më ekspozoi analizën e tij (shumë të ashpër) politike dhe ekonomike të Serbisë, duke më shpjeguar se përse është kaq shumë kundër Vuçiçit.


Ja shtatë pika nga biseda jonë:
E para, sipas fjalëve të Xhillasit është “mungesa e shpresës“. Xhillasi pohon se “Në vitin 2013 janë larguar nga Serbia 13 mijë njerëz, ndërsa në vitin 2017, 78 mijë. Njerëzit largohen edhe nga vendet e tjera, por këtu te ne largimi është ikje, njerëzit ikin prej këtu, ne jetojmë në një vend ku njerëzit punojnë për një pagë 200 euro“.


Problemi i dytë i madh është “kriminalizimi i shoqërisë“. Xhillasi thotë se “ky pushtet ka okupuar pozitat drejtuese në marrëveshje me kriminelët“, duke ma përforcuar këtë me të dhënën se në vitin 2012, në Serbi kishte gjashtë raste të karakterizuara si vrasje kriminale. Ndërsa në vitin 2018 kishte tridhjetë të tilla.


Pika e tretë është situata ekonomike shumë e keqe dhe rritja e vazhdueshme e borxhit të jashtëm. Borxhi i jashtëm, sipas Xhillasit, në vitin 2013-2014 ishte 15 miliardë euro, ndërsa sot është 25 miliardë euro- “Serbia“, thotë Xhillasi, “është e fundit për nga rritja e PBB-së në Europë, Vuçiçi gënjen kur na flet ne për ndonjëfarë rritje ekonomike“.
Pika kritike e katërt, sipas Xhillasit, është “Diktatura e Vuçiçit“. Xhillasi pohon: “Vuçiçi është njeri inteligjent, ai nuk është budalla, por ajo që bën, është diktaturë personale standarde“.


Problemi i pestë sipas Xhillasit është “rritja e agresivitetit në shoqëri“, gjë që ma argumentoi me fjalët: “Agresiviteti në shoqërinë serbe është në rritje shqetësuese, te ne deri në 53% e fëmijëve ankohen se janë viktima të dhunës të shokëve të tyre të shkollës. Kur Vuçiçi thotë se ne opozitarët jemi plehra dhe bajga, ai me këtë rrit dhe legjitimon këtë dhunë dhe tani kemi situatën në të cilën fëmijët në shkollë rrihen dhe fyejnë njëri tjetrin përditë. Nuk ka më buzëqeshje në fytyrë mes njerëzve. Kishte në vitin 2012, kur Vuçiçi erdhi në pushtet, por tani edhe ata vetë (e ka fjalën për pjestarët e Partisë Përparimtare në pushtet. Shën. aut.) nuk qeshen më…“


Problemi i gjashtë kyç, sipas Xhillasit, është korrupsioni, ndërsa problemi i shtatë, sikurse pohon ai, “është politika e gabuar ndaj Kosovës“. Xhillasi nënvizoi:


-Ndarja e Kosovës që synon Vuçiçi nuk është kurrfarë zgjidhje. Sepse nëse vjen puna deri te ndarja, atëherë edhe Republika Srpska krejtësisht në mënyrë logjike do të dilte me kërkesën që të ndahej nga Bosnjë e Hercegovina, ndërsa Sanxhaku, le të themi, të ndahej nga Serbia. Epo kjo nuk ka kuptim. Zgjidhja e problemit të Kosovës qëndron në pajtimin e popullit serb dhe atij shqiptar, në bashkëpunimin e këtyre dy popujve, në sport, kulturë… Deklarativisht, Vuçiçi është europiani më i madh, por ai në thelb është radikal, dhe kurrë nuk ka për të qenë tjetër. Më ka ofruar në vitin 2016 të jem Zëvendëskryeministër dhe të drejtoj ekonominë, unë këtë nuk e kam pas pranuar sepse nuk jam dakord me idetë e tij, nuk dëshiroj të bëj marrëveshje me kriminelët dhe nuk dëshiroj ta shes Kombinatin Bujqësor të Beogradit (Kompaninë më të madhe bujqësore në Serbi. Shën. aut.) me një çmim krejt të lirë.


Megjithatë, Dragan Xhillasi më theksoi: “Nuk i drejtojmë neve këto protesta, por ato na udhëheqin neve“- dhe me këtë më pranoi se edhe ai është disi i habitur nga zhvillimi i ngjarjeve. Në takimin e mbajtur (i mbyllur për opinionin publik) para pak kohësh në Komunën Stari Grad, përfaqësuesit e Aleancës për Serbinë, si grupimi më i fortë opozitar në Serbi, ishin në parim dakord- nëse kanë arritur vërtetë për këtë të gjejnë një gjuhë të përbashkët- për dy gjëra parimore: e para, se do të bojkotojnë zgjedhjet në Serbi për një kohë kaq të gjatë derisa të vendoset liria e plotë e mediave (në mënyrë të veçantë të atyre më me ndikim, elektronike); dhe e dyta, kur të vijë puna të zgjedhjet e lira, të gjithë do të kandidojnë për një listë të përbashkët ose do të synojnë formimin e një qeverie jo partiake “me një afat të caktuar“, detyra bazë e së cilës do të ishte rinovimi i institucioneve të shkatërruara.
Në kuptimin programor gjithsesi, Aleanca për Serbinë deri tani ende nuk ofron asgjë konkrete dhe të përcaktuar, dhe tani për tani ka në letër vetëm një “paraprogram“ ad hoc të hartuar në formën e “30 pikave“ (bashkëbiseduesi im Gjorgje Paviçeviç presupozon, por gjithsesi nuk është i sigurtë për këtë, se këtë ia ka hartuar filozofi dhe analisti prorus dhe antiglobalisti Gjorgje Vukadinoviç), rreth të cilit, në opinionin publik serb, ka shumë rezistencë dhe mendime kontradiktore.
Për shembull, historiani nga Katedra për Historinë e përgjithshme të shekullit të ri në Fakultetin e Filozofisë në Beograd, Nikolla Samarxhiç (lindur 1961), është një prej atyre (më duket se të shumtë) profesorë të Beogradi që kundërshtojnë haptazi (madje edhe me nënshkrimin personal) protestat antivuçiçiane në Serbi, por nuk ka edhe ndonjëfarë mendimi të veçantë për Dragan Xhillasin dhe koalicionin e tij opozitar, duke menduar se programi i tyre i përkohshëm, i emërtuar “30 pikëshi“ është gabim i pastër. Mbi këtë ai më tha:


-Shikoni, në këtë programin e tyre në përgjithësi nuk përmendet integrimi europian, sikurse nuk përmendet edhe bashkëpunimi me fqinjët dhe kombet në territorin ish jugosllav. Thënë sinqerisht, këto “30 pikat“, janë krejtësisht pa kurrfarë lidhje, dhe diçka më e keqe se Vuçiçi. Në Aleancën për Serbinë nuk ia kanë idenë sesi të dalim nga vetëizolimi, sesi ta braktisim zonën e ndikimit rus, dhe si të kontribuojmë në pajtimin në Bosnjë e Hercegovinë, sesi të rregullojmë tregun dhe zhvillimin e mundshëm të institucioneve financiare, sesi të përshpejtojmë integrimin europian…. Thënë thjesht, Xhillasi nuk është “my piece of cake“, ai nuk ofron asnjë përgjigje për cilindo prej problemeve tona konkrete.


Madje nuk ofrojnë as alternativë për sistemin zgjedhor ekzistues! Ky programi i tyre është njëfarë miksimi i çuditshëm i politikës tradicionale të Dobrica Çosiçit, Dimitrije Ljotiçit, politikës së të paangazhuarve dhe nënshtrimit ndaj ndikimit rus. Unë i mbështes protestat si dinamikë e domosdoshme politiko-shoqërore, në mungesë të liderëve të përgjegjshëm politikë, partive dhe mediave, por unë shëtis vetëm nën flamujt e Serbisë, BE-së dhe SHBA-ve, ndërsa ata shëtisin nën flamurin e Rusisë, madje edhe kur ky flamur nuk shihet!


Qëndrim shumë të ngjashëm më paraqiti edhe dramaturgu serb, regjizori dhe profesori i rregullt i Fakultetit të Arteve Dramatike në Beograd, njëkohësisht edhe këshilltar në Ambasadën e “Rendit Sovran ushterak të Maltës“, Nenad Prokiçi (ai është gjithashtu edhe një prej themeluesve të Partisë Lideral-demokrate dhe ish profesori i dramaturgjisë i Çedomir Jovanoviçit), i cili për platformën programore prej “30 pikash“ thotë:


-Problemi serioz i këtij dokumenti qëndron në atë se në të nuk përmenden askund integrimet europiane. Përgjithësisht në këto protesta në Beograd dhe Serbi, integrimi europian as që përmendet, duket sikur synimi i protestuesve është që të ndërpritet ky proces. Unë këtë nuk mund ta mbështes. Ata nuk e duan Europën, ata sikur duan Rusinë! Vuk Jeremiçi dhe Boshko Obradoviçi- janë nacionalistë më të mëdhenj sesa Vuçiçi, e njëjta gjë mund të thuhet edhe për Xhillasin! Tërë bota është duke u rrotulluar djathtas dhe ata në këtë rrotullim shohin njëfarë shansi edhe për veten e tyre.


Kaq keq mendojnë edhe për vetveten saqë në protesta as që dalin para mikrofonit, por çdo pasdite proteste janë të pranishëm në publik dhe tërheqin fijet nga prapavija, duke ua lënë radhën aktorëve të argëtohen me performancat e tyre. Ata në këtë rast janë njëfarë “the men behind“. Ndërsa aktorët janë këtu që të ngrenë energjinë e cila do të përdoret pastaj për rrëzimin e Vuçiçit dhe pas kësaj, në një moment të dhënë, ata të vinë në pushtet. Mos u merakosni ata tashmë kanë ndarë edhe ministritë, në takimin e tyre ta parë në Zllatibor disa muaj më parë!


Protestat i mbështet në parim dhe Kryetarja e Komitetit të Helsinkit për të drejtat e njeriut në Serbi Sonja Biserko, megjithëse edhe ajo, njëlloj sikurse Samarxhiçi dhe Prokiçi, është e vetëdijshme për disa (shumë) mungesa dhe kundërthënie për të cilat, në bisedën që bëra me të fundjavën e shkuar në Zyrën e saj në rrugën Knjez Millosh nr. 4 më nënvizoi:


-Vështirë të thuhet se kush është organizatori i vërtetë i protestave. Ia filluan të rinjtë, por opozita politike sikur nuk e ka mbështetjen e tyre. Në këto protesta mungon një subjekt i cili do të mund të artikulonte ndonjë vizion. Problemet politike nuk mund të artikulohen në rrugë. Xhillasi është politikisht i paartikuluar, ai nuk e ka atë feeling, ai ka patur aftësi menaxhuese, por politikisht është analfabet. Gjithçka në Serbi, për fat të keq, është kaq e shkatërruar, saqë ky lideri i ri, i cili pritet dhe thirret tani, duhet të jetë tërësisht origjinal. Nuk mund të jetë fokusi rrëzimi i Vuçiçit, duhet reformuar sistemi në një mënyrë të tillë që të garantojë jo vetëm dinjitet elementar, por edhe respekt të plotë të të tjerëve. Kam frikë se largimi i Vuçiçit nga pushteti nuk ka për të qenë i butë.


Për Vuçiçin dhe politikën e tij për Kosovën, Sonja Biserko pohon se “ai nuk ka kurajo politike ta bëjë atë hapin politik vendimtar“, megjithëse “kishte mbështetje të madhe nga jashtë, e cila tani dalëngadalë po humbet, por jo plotësisht, sepse nuk duket askush tjetër në horizont“.
Ndërsa opozita dhe qëndrimi i saj ndaj Kosovës. As opozita, sipas mendimit të Sonja Biserkos, “nuk ka përgjigjen e duhur për çështjen kosovare, ata akuzojnë Vuçiçin se është tradhëtar, por që të gjithë janë pikërisht për ndarjen e Kosovës, madje edhe vetë Xhillasi, vetëm se Xhillasi sikur nuk e kupton fare këtë problem“.


Megjithatë, sipas Sonja Bisekos, Vuçiçin “e ka nxjerrë seriozisht nga shinat gjithçka që po ngjet me protestat“, sepse, “ai nuk është pjekur politikisht të përballet me to dhe të bisedojë me protestuesit“. Por shton se gjithsesi, “Vuçiçi nuk duhet nënvlerësuar“.


Ka disa shenja- për këto më foli diçka më shumë Dushan Janjiçi, Drejtuesi i Fondit për Marrëdhënie ndëretnike duke iu referuar burimeve të tij ekskluzive- se Aleksandër Vuçiçi mund të shpallë zgjedhje parlamentare të parakohshme në Serbi me 31 mars 2019, dhe në të njëjtën kohë (pra në mars) të mund të mbahen edhe zgjedhjet në Kosovë (në situatën e befasishme të “vakuumit“ të krijuar në Departamentin e Shtetit, pas dorëheqjes së drejtorit për Europën Juglindore dhe Euroazinë në Stejt Department, Aaron Ves Miçell. Shën. aut).


Por është e vështirë të thuhet se kjo mund të ndodhë. Por një gjë duhet marrë me siguri (ose në rastin më të mirë si shumë të mundshme): nëse Vuçiçi shpall zgjedhje të parakohshme, opozita do t’i bojkotojë, e kjo gjë mund të ashpërsojë dhe dramatizojë deri në fund situatën në Serbi, por ndoshta mund të kontribuojë në krijimin e një fronti të përbashkët dhe unik në të cilin, në disa rrethana të supozuara, eventualisht mund të lindë një lider të ardhshëm të ri, i cili vërtetë që mund të jetë al pari i Aleksandër Vuçiçit. Tani për tani një të tillë nuk ka në horizont.


Kur protesta në Beograd me 26 janar në mbrëmje, pas performancës para ndërtesës së qeverisë serbe, përfundoi, historiani i ri Srgjan Millosheviç më tha si me dyshim:


-Nuk është diçka e mirë kjo. Këto protesta nuk kanë asnjë platformë të përbashkët, asgjë që i bashkon, përveç faktit që “protestuesit“ nuk duan Vuçiçin. Mbi Vuçiçin unë personalisht mendoj gjithë të këqijat, por për fat të keq, ka edhe më të këqinj se ai, dhe këta janë para të gjithëve Vuk Jeremiçi dhe Dveri. Kam frikë se kjo punë do të përfundojë me përmbysje me dhunë. Nëse mund ta heqë ndokush Vuçiçin nga pushteti, këta do të jenë rusët, kërcënimi më i madh atij i vjen nga ata! Nuk e di nëse ndokush është i vetëdijshëm për një gjë të tillë. Ne këtu ne Serbi jemi të mbyllur. Të mbyllur në këmishën e forcës, mes Lindjes dhe Perëndimit. Në njëfarë paangazhimi që nuk na shpie askund. Si mund të jesh i paangazhuar kur je i rrethuar nga NATO-ja? … Jo, kjo nuk ka për të përfunduar mirë…

*Darko Hudelist, gazetar kroat, njohës i ngjarjeve në Serbi

Share. Facebook Twitter Pinterest LinkedIn Email WhatsApp

Postime te ngjashme

Çfarë fshihet pas lotëve të krokodilit për Thaçin në Tiranë dhe Prishtinë

20:30 / September 21, 2026

Leximi i numrave ose, mjerim opozitar!

17:19 / September 20, 2026

Derisa të jemi kaq të këqinj dhe kundër njëri-tjetrit përballë të huajve…

13:00 / September 20, 2026

84 votat e mazhorancës si sinjal politik për sponsorët e flamingove

21:40 / September 18, 2026
Add A Comment
Leave A Reply Cancel Reply

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.

© 2026 TiranaNews. Te gjitha te drejtat e rezervuara.
  • Kontakt
  • Politikat e privatesise

Type above and press Enter to search. Press Esc to cancel.