Në Tiranë u arrestua me qëllim ekstradimin Bujar Sejdini, i quajtur “Xhaxhai”, përfaqësuesi i Ndrangheta-s në Shqipëri dhe në zonën e Ballkanit, dhe në veçanti përfaqësuesi i familjes mafioze “Bellocco”. Ky person ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë.
Gazetarja Klodiana Lala ka zbardhur detaje të reja lidhur me këtë arrestim. Ajo tha se masa e sigurisë është mbajtur top sekret, pasi kështu ka qenë kërkesa e autoriteteve të huaja, pasi operacioni vijonte në Argjentine dhe Costa Rica. Po ashtu, Lala ka arritur të sigurojë detaje nga dëshmia e tij para togave të zeza, ku Sejdini ka mohuar përfshirjen e tij në trafik droge. Ai mësohet të jetë shprehur se ka punuar si marangoz në Laç dhe se nuk kishte lidhur me trafikun e drogës, ndërsa kërkoi lirinë me pretendimin se ishte invalid.
“Unë kam punuar si marangoz në ndërmarrjen në Laç dhe jam invalid. Gjatë jetës time kam udhëtuar 2-3 herë drejt Italisë vite më parë, ku një miku im operoi bashkëshorten e tij. Aty kam disa njerëz të njohur që kisha nga Laçi, por kurrsesi nuk jam përfshirë në trafik droge.”,- ky ka qenë pretendimi i Sejdinit në gjykatë, teksa ishte në pritje të caktimit të masës së sigurisë. Thuhet se Bujar Sejdini ka marrë pjesë në blerjen e rreth 20 kg kokainë në Spanjë”, tha Lala për News24.
