Pak ditë më parë flitej për akord në shumën e 16 milionë eurove me Mançester Junajtid, por sot Interi ka zyrtarizuar firmosjen me Aleksis Sançez pa shpenzuar asnjë para, si lojtar i lirë. Një levizje mjaft e befasishme kjo, duke marrë parasysh se kontrata e 31-vjeçarit me anglezët përfundonte në verën e vitit 2022.
Në orët në vijim pritet të zbulohen detajet e këtin akordi, por paga e lartë e Sançez (15 milionë euro) te “Djajte e Kuq” dhe mungesa e ofertave për blerjen e tij mund të ketë ndikuar jo pak në këtë vendim. Tashmë kileni bëhet totalisht pronë e Interit, ku ishte në huazim gjatë sezonit të fundit. Sançez ka firmosur kontratë për tre vitet e ardhshme dhe do të përfitojë 7 milionë euro neto në sezon, duke përgjysmuar pagën, që merrte te Junajtid.
Sançez dy sezonet e fundit nuk ka treguar aspak një nivel të kënaqshëm, me Interin që pritej ta kthente, por ndryshoi mendje pas periudhës së pandemisë, kur sulmuesi arriti të bëjë paraqitje shumë të mira. Ai është tashmë lojtari i tretë i më i paguar i zikaltërve, pas Eriksen dhe Lukakut, që marrin nga 7.5 milionë në sezon.
