Skënder Gega ka dalë sot në fushën stërvitore duke u kthyer në futbollin shqiptar pas një viti mungesë. Trajneri është kthyer po me të njëjtin entuziazëm që shfaqi në vitin e tij historik me Partizanin, ndërsa tregoi para gazetarëve se si po përjeton këtë kthim me një skuadër të re e këtë start me problematikat që ka aktualisht Kukësi.
“Nuk jemi ende të plotë. Kuper është me leje nga klubi në Itali, Maliqi ka probleme ne kufi se duhet të bëjë testin të na bashkohet. Siç e dini një grup lojtarësh cilësorë janë larguar, do të mundohemi të punojmë për të sjellë emra të tjerë gjatë gjithë kohës.
Gashi ka ardhur me pëlqimin tim, me aq sa e njohim është prurje e mire dhe shpresojmë të na ndihmojë, jam i kënaqur me afrimin e tij.
Oferta për Telushin? Unë jo vetëm me Telushin, por me të gjithë ata që kam qenë pjesë e Partizanit, kam marrëdhënie të ngushta e të mira dhe dëshiroj të shkojnë ku kanë qejf, Nuk e di si është situata e Telushit, kam lexuar që shkruhet për të dhe Hoxhën. Unë uroj të gjejnë gjuhën e përbashkët, ne nuk po shohim Partizanin, po shohim Superioren, jashtë Shqipërisë dhe kampionatin Kosovar.
Situata e Et’hemit? E di që ka bërë marrëveshje, Et’hemi ka qenë ndoshta një nga pikat më të rëndësishme të planit dhe projektit. Kishte tre vite te Kukësi, Kukësi ka investuar duke e marrë nga Mamurrasi, është rritur për meritën e tij e ka ardhur deri këtu. Edhe unë nga gazetet e kam marrë vesh që është larguar, nuk i di saktësisht marrdhëniet ekzakte. Me sa di ka qenë në kontratë deri pas Europës, klubi do të vendosë zgjidhjen e kontratës apo nëse do t’i shkojë gjërave deri në fund.
Luajmë me një ndeshje. Po pat me dy ndeshje nuk është keq se po gabohet në të parën ke shanse në ndeshjen tjetër të korrigjohesh. Ndeshja është me dy pjesë, të jep mundësinë të korrigjohesh: Ne do të bëjmë të pamundurën dhe shpresojmë të konsolidohemi, pot ë shohim një herë se kush do na vijë përballë.
Faza në Tropojë? Me presidentin e kemi folur për situatën që është Shqipëria dhe është e pamundur të udhëtosh jashtë, edhe koha e temperaturat e larta bëjnë të vetën. Një arsye është edhe se desha një stadium me bar natyral, kemi Kosoven afër për ndonjë miqësore”, shpjegoi Gega disa nga vendimet dhe situatat në klubin verilindor.