Partizanit ende nuk i është zhbllokuar merkatoja dhe trajnerit të ri Ilir Dajës tani për tani do i duhet të përqendrohet në planin “B”, të administrojë skuadrën që ka në dispozicion dhe të instalojë idetë e tij në ekip.
Prej ditësh ai ka nisur stërvitjen me ekipin dhe tashmë do të ketë mundësinë t’i testojë djemtë në një ndeshje të mirëfilltë. Këtë lajm e ka konfirmuar vetë klubi i kuq, që tregon se kundërshtari i tyre do të jetë Korabi.
Dibranët janë një kundërshtar mjaft serioz për të kuqtë, duke patur parasysh se ishin në pjesën e sipërme të tabelës në Kategorinë e Parë gjatë sezonit të fundit. Kjo ndeshje do të luhet ditën e nesërme në orën 17:30 në Elbasan, në kompleksin “Pepa”.
