Rudina është më pak se 40 vjeçe, por halle të mëdha i kanë rënë në kokë. Ajo nuk ka një banesë të saj, bashkëshorti ka probleme shëndetësore, varfëria i ka errur sytë.
Për “shtëpinë” e saj ka menduar Ministria e Mbrojtjes. Një vit më parë i është dhunuar një kontenier dhe katër pjesëtarë të familjes jetojnë brenda tij. Aty ushqehen, aty flenë, aty presin të afërmit, aty rënkojnë.

Rudina Xhepmeta thotë e përlotur se ajo është njeriu më i pafat në botë. “Kur u martova këtu në Komsi nuk e kisha menduar se burri do të kishte probleme me shëndetin mendor. Unë dhe dy fëmijët përjetojmë ditë të vështira sa herë ai bëhet agresiv. Një Zot e di sa herë kam menduar të pi helm dhe t’i jap fund jetës”, shprehet Rudina.
Një vit më parë ajo mbeti dhe pa shtëpi. Të afërmit e dëbuan nga banesa ku ishte. Nuk ke pjesë këtu i thanë dhe e nxorën në rrugë. E gjendur përballë kësaj situate ajo takon Ministren e Mbrojtjes Olta Xhaçka në Burrel dhe i kërkon ndihmë për të strehuar veten dhe fëmijët. Brenda pak ditëve ushtria dërgon në fshatin rrëzë malit një kontenier dhe mundëson strehimin e përkohshëm të familjes Xhepmeta.

Gjendja ekonomike e familjes një tmerr i vërtetë. Ndihma që marrin në bashkinë e Matit nuk mjafton për asgjë. Të afërm dhe njerëz human kanë treguar bujarinë e tyre me këtë familje në nevojë. “Nuk kam pas televizor, pohon Rudina. Këtë që shihni këtu në barakë ma ka falur Xh. Kurti, madje pagoi dhe ofertën e sinjalit për një vit. Të afërm të tjerë më japin miell, ushqime e ç’të munden”.

Në sofrën e Rudinës gjen vetëm ca feta buke. Më tej janë ato pak ushqime që i kanë falur. Dyshekët i shtrin në mbrëmje dhe i sistemon në mëngjes. Por hallin më të madh ajo e ka me burrin, ka frikë se dhunon fëmijët dhe atë. Këtë e ka bërë dhjetra herë.
Ditë shprese pret familja Xhepmeta…. / tirananews.al
