Kreu i komisionit të Ligjeve, Ulsi Manja, i ftuar në emisionin “45 minuta” në Report Tv, i pyetur nëse shumica do të votonte deputetin Anastas Angjeli, nëse emri i tij do shkonte si dekret i kreut të shtetit, tha se ai i plotëson të gjitha kriteret. “Ne i qëndrojmë zbatimit të kushteve dhe kritereve që ka përcaktuar ligji. Nëse kandidatura do të plotësojë kushtet dhe ka cilësitë e duhura profesionale dhe morale, integritetin e duhur, pse jo maxhoranca është e hapur për këtë lloj luajaliteti mes presidentit dhe qeverisë. Z.Angjeli është doktor i fushave ekonomike. I plotëson të gjitha kriteret”.
Shumica në Kuvend që zotërohet nga PS-ja deri më sot ka rrëzuar dy kandidaturat e propozuara nga presidenca Vitore Tushën dhe Bahri Shaqirin, sepse, sipas saj, nuk plotësonin kriteret ligjore. Angjeli ishte ministër Financash gjatë kohës kur Ilir Meta ishte kryeministër në vitet 1999-2001.