Ambasada Amerikane në Tiranë ka dhënë informacion lidhur me Projektin “Drejtësi për të Gjithë” i financuar nga USAID në Shqipëri. Në njoftimin e ambasadës thuhet se ky projekt përmirëson shërbimin ndaj qytetarëve në gjykata, lehtëson ngarkesën e punës të personelit të administratës, dhe përmirëson qasjen në informacion.
Postimi i Ambasadës Amerikane
Projekti “Drejtësi për të Gjithë” i USAID në Shqipëri vazhdon të gjejë mënyra krijuese për përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve në gjykata, për lehtësimin e ngarkesës së punës të personelit të administratës, dhe për përmirësimin e qasjes në informacion. Në mbështetje të modernizimit të sektorit të drejtësisë, projekti po punon për të përhapur përdorimin e një aplikacioni i cili, përmes kioskave ose Pikave të Informacionit, i jep mundësinë qytetarëve të marrin të dhëna lidhur me çështjet gjyqësore, të tilla si emri i gjyqtarit ose i gjyqtares së caktuar për një çështje, data e një gjyqi ose e një dëgjese, ose kalendari i plotë i seancave gjyqësore ose dëgjimore. Muajin e kaluar, Pikat e Informacionit u instaluan në 9 Gjykata të Rretheve, për t’u instaluar së shpejti në Gjykatën Administrative, Gjykatën e Apelit dhe Gjykatën e Lartë.
