Skuadrat kanë nisur grurmbullimet dhe përgatitjet në kuadër të startit të sezonit të ri. Për të parë edhe më mirë gjendjen e futbollistëve, organizohen edhe miqësoret e zakonshme në këtë periudhë. Kështu, ditën e sotme ka pasur disa duele teksa spikaste ndeshja mes Apolonisë dhe Bylisit të zhvilluar në Fier, në stadiumin Loni Papuçiu. Ballshiotët triumfuan me rezultatin e pastër 0-2, duke i shkaktuar ekipit të drejtuar nga Artan Mërgjyshi humbjen e tretë në miqësore, dy disfatat e mëparshme fierakët i kanë marrë me Laçin.
Në këtë mënyrë, skuadra që këtë vit rikthehet në Superiore, ka ende rrugë për t’u përmirësuar. Ndërkohë, një miqësore tjetër ishte ajo mes Kastriotit dhe Korabit. Krutanët që këtë sezon do të jenë pjesë e elitës, kanë fituar me rezultatin 2-1 falë golave të Okebugut dhe Dacit. Për Korabin ai që barazoi përkohësisht rezultatin ishte Skuka.
Sakaq, në miqësoren e tretë të ditës, Oriku ka arritur një sukses me shifrat e thella 4-0 ndaj Lushnjes. Verdhejeshilët duken në vështirësi deri në këto moment pasi kanë humbur shërbimet e 13 lojtarëve dhe kanë afruar vetëm dy të rinj. Në këtë sfidë për Orikun shkëlqeu me një një tripletë Xhelili, ndërsa golin e katërt e realizoi Merkaj.
