Këshilltari i kryeministrit Edi Rama, Endri Fuga ka reaguar pas deklaratave të zëdhënësit të qeverisë Gjermane Steffen Seibert dhe këshilltarit ekonomik gjerman pranë partisë CDU Martin Henze.
Seibert me anë të një deklarate ditën e sotme ka përshëndetur propozimin e Ramës si kreu i OSBE-së për dialog mes qeverisë dhe opozitës në Bjellorusi.
“Nga këndvështrimi i Qeverisë Federale, është një mënyrë e gabuar të shkosh që niveli i shtypjes së udhëheqjes në Minsk tani po rritet përsëri në mënyrë të dukshme. Dialogu midis qeverisë dhe shoqërisë bjelloruse është urgjent. OSCE mund ta përçonte këtë dialog,” shkruan Seibert.
Ndërsa, Këshilltari ekonomik gjerman pranë partisë CDU Martin Henze, me anë të një postimi në tëitter shkruante se Rama është vetë i dyshuar për manipulim të zgjedhjeve, teksa thotë se kryeministri dëshiron ti bashkohet Lukashenkos.
“Autokrat Rama Shqipëri, i cili është vetë i dyshuar për manipulim të zgjedhjeve, i cili nxori shtetin e së drejtës dhe Gjykatën Kushtetuese 3 vjet më parë, të jetë i korruptuar, populli shqiptar prandaj shtypet, tani dëshiron të bashkohet me kolegun e tij Lukashenko, një tjetër siklet i historisë botërore,” shkruan Henze në postimin e tij.
Fuga ka publikuar shkrimet e dy zyrtarëve dhe shkruan ‘Zëdhënësi zyrtar dhe këshilltari fallco’.
Kujtojmë që pak ditë më parë Rama i bëri thirrje presidentit bjellorus Lukashenko që të niste një dialog me opozitën vendase dhe me ndërmjetësimin e OSBE-së për zgjidhjen e krizës politike në vend. Ky propozim u mbështet nga SHBA, Rusia dhe liderët e tjerë, por Lukashenko nuk e ka pranuar ndërmjetësimin e OSBE-së në krizën politike në Bjellorusi.
