Dhuna në familje vijon të mbetet një plagë në shoqërinë shqiptare. Një ngjarje e rëndë tronditi Vlorën këtë mesditë, ku një 57-vjeçar i ka marrë jetën nënës së tre fëmijëve të tij, e më pas ka tentuar të vrasë veten.
Mësohet se Teodor Lera kishte bërë 4 muaj burg për dhunë në familje. Eva Lera, 45-vjeçare prej kohësh ishte viktimë e dhunës së bashkëshortit të saj, i cili i mori dhe jetën.
Ngjarja ndodhi në shtëpinë e Lerës, në katin e parë të një pallati, shumë pranë komisariatit të policisë së Vlorës.
Teksa policia pritet të zbardhë rrethanat e ngjarjes, pritet edhe verifikimi nëse e ndjera kishte urdhër mbrojtje.
Njoftimi zyrtar i Policisë së Vlorës:
Vlorë Informacion paraprak
Sot rreth orës 12:10, në lagjen “Kushtrimi”, në katin e parë të një pallati është gjetur e pa jetë një shtetase 45 vjeçe. Nga hetimet paraprake dyshohet se ajo mund të jetë vrarë nga bashkëshorti. 57-vjeçari më pas, dyshohet se ka prerë damarët. Ai po merr ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal Vlorë. Grupi hetimor vijon punën për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.
