Të kurohesh me barna popullore nuk do të thotë aspak të braktisësh mjekun. Po ndodh gjithnjë e më shpesh që mjekimi alternative dhe ai farmaceutik të pranojnë dhe rekomandojnë njëri-tjetrin. Megjithëse teknologjia farmaceutike përparon gjithnjë e më tepër , afrimiteti me natyrën është sfida dhe qëllimi më i madh i saj. Zhvillimi i mjekësisë moderne, jo vetëm që nuk e ka zbehur kurimin me bimë mjekësore, por sa më shumë shtohet informacioni, aq më shumë vëmendje i kushtohet kësaj kulture popullore dhe aq më shumë zbulohen efektet kuruese të bimëve mjekësore. Përsa na përket neve, ka kohë që vrapojmë pas etiketave me mbishkrimin : “… me bazë bimore”.
Të kurohesh me bimë mjekësore është nje avantazh unik. Ato janë shumë herë më pak toksike se një mediakement i prodhuar në kushte laboratorike, prandaj gjejnë një përdorim më të gjatë në kohë. Përveç antibiotikëve për inflamacionin e grykës, mjekët rekomandojnë edhe disa bimë ”çudibërëse“, të cilat i pranojnë si të pazëvendësueshme. Sherebeli, lulja e blirit apo gjethet e mërsinës do t’ju bëjnë të keni një grykë më pak të skuqur dhe me më pak dhimbje.
Për mjekimin e bronkitit, laringitit dhe sëmundjeve të grykës dhe gojës, krahas antibiotikëve, mjekët specialist rekomandojnë edhe gjethe mërsine, sherebel, lule bliri, aguliçe apo mullagë, të cilat mund të përdoren si çaj apo në formën e gargarës. Ato frenojnë në mënyrë të dukshme përkeqësimin e fytit dhe kanë efekte shumë të mira për parandalimin e sëmundjeve.
Sëmundje të rënda të zemrës, veshkave apo mëlçisë mund të trajtohen në spital dhe klinika mjekësore, por ekzitojnë edhe metoda të thjeshta dhe aspak të kushtueshme që ndikojnë në parandalimin e sëmundjeve e ne disa raste edhe në dobësimin e konsiderueshëm të saj. Në rast se do të keni informacion për trajtimet me bimë mjekësore, do të jeni më të shëndetshëm dhe nuk do të paguani para!
Në rast se keni gurë në veshka, mjekësia thërret në ndihmë traditën. Sa më shumë çajra me mustaqe misri, bishta qershie dhe rrënjë grami.
Gjatë zierjes, këto bimë lëshojnë një tretës të përkryer për kristalet që ndodhen në veshkë dhe në rrugët urinare. Ato ndikojnë gjithashtu më së miri në nxjerrjen e gurëve nga veshkat dhe mund të përdoren vazhdimisht krahas recetës antibiotikë që ju është dhënë dhe janë shoqëruese shumë të mira për kurimin e sëmundjes. Këto bimë përdoren kryesisht të thara, sepse duke qenë të tilla, lëngu i tyre absorbohet shumë mirë nga aparati gastrointestinal, për të shkuar më pas në melçi.