Kirurgia e parë femër në Shkodër Zyliha Kraja, u nda nga jeta ditën e djeshme pasi humbi betejën me koronavirusin.
Të shumtë kanë qenë personat që kanë shprehur hidhërimin e tyre për ndarjen nga jeta të doktoreshës së nderuar.
Kryebashkiakja e Shkodrës, Voltana Ademi teksa ka nxjerrë foto nga ceremonia përkujtimore, shkruan se ishte një humbje shumë e madhe për familjarët e saj, por edhe për Shkodrën.
Ademi ka vlerësuar kontributin e saj pas daljes në pension në shërbim të pacientëve, të cilëve u shërbeu deri në fund të jetës së saj.
“Lamtumirë doktoreshë Zyli!
I është dhënë lamtumira e fundit Doktoreshë Zylit, kirurges me zemër të madhe dhe përkushtim të rrallë. Përfaqësuese e brezit të artë të mjekëve shkodranë, që në kushte aspak të lehta, shëruan pacientët e tyre pikë së pari me humanizmin e tyre dhe më pas me profesionalizimin e përkushtimin e spikatur.
Doktoreshë Zyli i shërbeu pacientëve deri në ditët e fundit të jetës, edhe pse kishte shumë vite që kishte mbushur moshën e pensionit.
Një humbje e madhe për bashkëshortin e saj, dramaturgun e përmasave ndërkombëtare Fadil Kraja, familjen e saj, kolegët, miqtë, Shkodrën dhe të gjithë ata, që falë Doktoreshë Zylit dhe punës së saj, janë sot shendetplotë.
Pushofsh në paqe Doktoreshë Zyli! Do të na mungosh të gjithëve“, shkruan Ademi.
