Një 52-vjeçar, pronar i një lokali në Durrës, është arrestuar pasi ka shkelur në mënyrë të përsëritur masat anti-covid, duke organizuar dasma në ambientet e aktivitetit të tij.
52-vjeçari S.P., është gjobitur dy herë me nga 1 000 000 lekë si dhe i ishte pezulluar aktiviteti për 6 muaj, por sërish nuk është bindur që masat anti-covid duheshin zbatuar duke vijuar të organizonte sërish dasma.
Gjatë kontrollit të policisë, edhe pse aktiviteti i tij ishte i pezulluar, ai është gjetur duke organizuar sërish ceremoni martesore në kundërshtim me Aktin Normativ për marrjen e masave me qëllim parandalimin e përhapjes së COVID-19.
Shkelja e përsëritur e protokolleve të sigurisë ka bërë që 52-vjeçari të arrestohet në flagrancë.
Për rrezikshmërinë e virusit dhe zbatimin e detyrueshme të protokolleve për parandalimin e përhapjes së COVID-19 duket se ka ende persona të pandërgjegjësuar, që vijojnë të mos zbatojnë rregullat pavarësisht paralajmërimeve dhe gjobave të vendosura.
Në vendin tonë shifrat e të infektuarve me COVID-19 vijojnë të jetë të larta ku një ditë më parë u shënuan 6 humbje jete dhe 135 raste të reja.
