“Fati i njeriut. Fiks si sot 38 vite më parë në 6 shkurt të vitit 1981 në malin e Mecekut ranë në krye të detyrës 11 vëllezër. Disa u gjymtuan madje Luan Muca mbeti në karrocë deri sa u nda nga jeta. Për ne të tjerët mrekullisht rastësia na bëri ti mbijetojmë asaj dite. Asnjëri prej nesh kur doli atë mëngjes në mëngjes për stërvitje nuk ishte përgatitur realisht për të ndjerë nga afër këputjen e fillit të jetës… Këto ndjesi më mbulojnë sa herë që me shokët e mi vijmë pranë Lapidarit dhe me emocione rikujtojmë gjithshka”, shkruan i mbijetuari i asaj ngjarje tragjike Skënder Doda, duke bërë kështu homazh për kolegët e tij ushtarakë.

Tragjedia e Fekenit. Kështu është regjistruar tashmë jo vetëm në kujtesën e ushtarakëve ngjarja e rëndë e 6 shkurtit e vitit 1981, ku humbën jetën 11 pedagogë e studentë ushtarakë, gjatë një stërvitjeje dimërore në malin me bore, mbi Dajt.
Ndërkohë që kanë kaluar plot 38 vjet qysh atëherë, në opinionin publik është folur gjithmonë me rezerva për katastrofën që ndodhi gjatë atij demonstrimi, në kushte shumë të vështira moti e terreni. Madje, në periudhën kur ndodhi, autoritetet zyrtare ndaluan në mënyrë të prerë transmetimin e lajmit në mediat e kohës. Për vite të tëra, ngjarja u vesh me një lloj misteri dhe në asnjë rast, gjatë periudhës së komunizmit, për të nuk u zhvillua ndonjë ceremoni zyrtare, përjashtuar takimin e përvitshëm të familjarëve të viktimave në vendin e ngjarjes dhe përshpirtjen e bashkëkohësve të tyre në mjediset e Akademisë Ushtarake.

“Dëshmorët e Atdheut”
Dushan Shameti komandant batalioni
Çlirim Pulaj oficer shtabi
Nikollaq Bero pedagog
Besnik Shehu student
Ilir Gramatikoi student
Bujar Ago student
Aleko Gjoni student
Qemal Lika student
Bilbil Pashai student
Nexhip Çoba student
Pëllumb Rrapo student
