Këtë të hënë ka nisur viti i ri shkollor ku afërsisht 460 mijë nxënës do të ulen në bankat e shkollës në një vit të vështirë para për shkak të pandemisë nga koronavirusi. Autoritetet kanë miratuar protokollin e sigurisë në shkolla, respektimin e distancës dhe maskat. Në një vëzhgim të tirananews.al në shkollat e Tiranës u vure se respektimi i masave ishte strikt brenda rrethimit të shkollës, por jashtë a thua se virusi nuk të prek grumbuj prindërish të cilit prisnin të fusnin fëmijën brenda rrethimit.
Elia, nxënëse në klasën e katërt në shkollën “Gustav Mayer” thotë se mezi priste që shkolla të fillonte të takonte shokët dhe shoqet e klasës, por siç e kishin porositur prindërit nuk ka përqafime por distancim social. “Duhet të vendos maskën dhe me vete në çantë kam dezifektues që duhet ta përdor shpesh. Me shokët dhe shoqet thjesht do takohemi me dorën grusht. Do doja shumë të përqafoja mësuesen time, por nuk është e mundur nga koronavirusi”, na thotë ajo.

Ndërkohë që mësuesit e shkollës zbatojnë me përpikmëri protokollet e sigurisë nga rrethimi i shkollës e brenda, situata jashtë lë për të dëshiruar dhe hera-herës janë prindër që ngrejnë zërin dhe kërkojnë ndihmën e policisë që prindërit të shpërndahen. “A thua se COVID-i këtu jashtë nuk ekziston. I thamë policit të ndërhynte, po ç’të bëjë ai. E të mendosh se janë gjysma e nxënësve se pjesa tjetër janë turni dytë, këtu do ishte bërë lemeri. Jemi ne prindërit që duhet të mendojmë për këtë pjesë. Jo çdo gjë zgjidhet me policë”, thotë Aurora, një prind mjaft e irrituar, të cilës iu desh t’ia jepte policit fëmijën e vet për ta futur në derën e shkollës për shkak të grumbullimit.
E njëjta situatë paraqitej dhe në shkolla të tjera, si “Emin Duraku”, “11 janari”, “Fan Noli” etj, ku ishte e pamundur mbajtja e distancës jashtë mureve të shkollës. NDryshe paraqitet situata në gjimnaze, ku si më të rritur nuk shoqëroheshin nga prindërit, dhe kanë respektuar me rigorozitet masat.

Mbetet për tu parë në ditët në vijim se si do të vijohet me masat jo vetëm brenda mureve rrethuese por dhe jashtë, sepse COVID nuk njeh mjedis është vërdallë kudo. Nëse zbatohen vetëm masat brenda mureve të shkollës, asgjë nuk zgjidhet kur jashtë COVID hedh valle mes grumbujve me prindër.

Nisur nga kjo problematikë e ditës së parë të shkollës Policia e Shtetit bën të ditur se do të shtohen patrullat nëpër shkolla, duke i bërë apel prindërve të mos grumbullohen para dyerve të tyre.
Drejtori i Departamentit të Sigurisë Publike në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, Gjovalin Loka pohoi se në shkolla do të ketë rritje të numrit të efektivëve.
“Në të gjitha ambientet e jashtme të shkollave do të ketë prani të patrullave të policisë. Prezenca e policisë nuk do të jetë vetëm për ruajtjen e sigurisë, por dhe për mbarëvajtjen e rregullave. Prindërit kanë detyrim ligjor, pavarësisht se do të shoqërojnë fëmijët në shkolla, duhet të respektojnë distancimin social”, tha Loka./ tirananews.al
