Rasti i abuzimit të 13-vjeçares në Kavajë tronditi mbarë opinioni publik, por detajet në dosjen e gjykimit në Gjykatën e Durrësit flasin për probleme të kësaj moshe në shoqërinë shqiptare.
Në shtator të vitit të shkuar vajza u afrua me një shok klase me të cilin flisnin në Instagram. Ditën e ditëlindjes së saj ai i kërkoi të kryenin marrëdhënie seksuale, e pas lutjeve të shumta në fund të tetorit vajza kishte pranuar.
Dy ditë më pas djali i kishte thënë se i kishte filmuar gjatë atyre momenteve një shoku i tij. E për të mos treguar, kishte nisur loja e rrezikshme e marrëdhënieve seksuale me djemtë e tjerë.
Ajo çka është shokuese është arsyeja pse djali adoleshent e përfshiu të miturën në këtë histori tronditëse. Plani i tij dhe i shokëve të tij ishte që vajza të kryente marrëdhënie seksuale kundrejt parave. E me këto para djali do të blinte disa lojëra në internet, duke i thënë vajzës se sapo të blinte këto lojëra do e mbyllte këtë muhabet.
Vajza ia rrëfeu shokut të bankës, i cili ishte djali i sanitares së shkollës, gjithë historinë e dhimbshme, për të cilën i kishte pranuar se kishte tentuar edhe të vetëvritej. Ai i kishte sugjeruar të njoftonte nënën ose mësuesen kujdestare. Ndërkohë e ëma e tij kishte zbuluar në telefonin e të birit mesazhet e djemve abuzues. Më pas ajo kishte folur me mësuesen kujdestare dhe ishte kjo e fundit që kishte njoftuar nënën e vajzës. Më 29 janar e mitura bashkë me nënën kanë bërë kallëzimin në polici. Aktualisht janë sekuestruar telefonat e të gjithë të miturve, teksa ndaj tyre është dhënë masa arrest me burg.
