Në një intervistë për Tirananews.al gazetarja e njohur Ola Bruko rrëfen si lindi dëshira për t’u bërë gazetare dhe cili është misioni i saj në media. Jo vetëm kaq, gazetarja Bruko flet dhe për marrëdhënien speciale me vjehrrën dhe tregon arsyen se përse ndryshe ndoshta nga çdo vjehrrë tjetër, ajo e kupton dhe suporton gazetaren ikonë të News 24.

Sot jeni një ndër ikonat e News 24. Keni kaluar eksperienca si gazetare,drejtuese emisioni dhe moderatore, si lindi gjithë kjo, çfarë ju lidhi me gazetarinë, një dëshirë e hershme, apo rastësia?
Faleminderit në radhë të parë për vlerësimin. Me gazetarinë më lidh një dëshirë e hershme. Që fëmijë (tregon mami im) qëndroja para pasqyrës dhe bëja sikur lexoja gazetat ose sikur jepja lajmet. Prindërit u përpoqën të realizonin tek unë ëndrrat e tyre (mami donte të isha balerinë, babi pianiste) por nuk mundën dot të shtypnin pasionin tim për gazetarinë, të cilin unë e shoh si çelësin për të qëndruar sa më pranë njerëzve e për të ndihmuar ata qoftë edhe vetëm duke i informuar.

Emisoni “Shqiptarët për Shqiptarët” është një sukses në News 24, pasi u larguat nga moderimi ju thatë se jeni ende pjesë e ekipit të tij. Do të donit të kishit një emision tuajin ku të ishit jo vetëm moderatore por edhe autore, keni ndonjë plan të tillë së afërmi?
Patjetër që po, provat i ka dhënë që ia dal mbanë me sukses.” Njerëz në Fokus” ka qenë produkt i im, isha autore dhe moderatore e tij….! Nuk i them jo asnjë projekti të tillë, sepse e konsiderojmë vlerë për shoqërinë. Dëshira ime mbetet gjithmonë një dhe vetëm një; të ndihmoj sa më shumë njerëz përmes prezencës time në media

Aktualisht të gjithë ne po kalojmë një i situate shumë komplekse dhe të vështirë për shkak të situatës së COVID, por ju hyni tek ajo pjesë e profesionistëve që mund të thuhet që keni qenë në vijë të parë, si po e përjetoni? I referohem edhe faktit që ju ndryshe nga shumë gazetare të tjera deklaruat me të “madhe” se do të vetëkarantinoheni
Covid 19 nuk është lojë dhe as shaka. Është një virus ende i panjohur që nëse hyn në organizëm mund edhe të të marr jetën, por nëse je i kujdesshëm mund ta kalosh paq. Masat anti-covid nuk duhen neglizhuar nga askush, i madh e i vogël, sepse përmes tyre mbron veten dhe të tjerët. Unë nuk e kam kaluar Koronavirusin. Ajo deklaratë e imja në atë kohë është keqinterpretuar. Unë vërtet u karantinova, por jo se kisha covid. E gjithë Shqipëria ishte në karantinë në atë kohë ndaj ky term nuk duhej të bënte aq përshtypje.
Nisur nga eksperienca juaj disa vjeçare në intervista në ekran, mund të na thoni cilët personazhe të politikës ose dhe më gjerë janë më të lehtë dhe më të vështirë për t’u intervistuar?
Nëse nuk je i përgatitur siç duhet përballë atij që ke të ftuar, çdo kush mund të kthehet në një person të vështire për tu intervistuar. Personalisht s’më pëlqen të ftoj dikë për të cilën s’kam dëgjuar asgjë më parë për çështjen për të cilën e ftoj. Me çdo të ftuar qoftë ky i lehtë apo i vështirë përgatitem maksimalisht, sepse publiku që më ndjek e më do, pret të informohet nga ajo bisedë. Unë jam zëri i publikut tim ndaj dhe pyetjet mundohem t’i thjeshtësoj sa më shumë që çdo çështje në diskutim të kuptohet siç duhet.
Ju keni thënë në emisione të tjera që përveçse me familjen tuaj të vogël, jetoni edhe me prindërit e bashkëshortit dhe se keni gjetur një balancë që ju çon në lumturi. Çfarë do t’i thonit të gjithë atyre grave të reja që e shohin me skepticizëm atë që ju thoni?
Unë jetoj me vjehrrën time. Për fat të keq vjehrrin nuk kam arritur ta njoh, kishte ndërruar jetë përpara se të njihesha me bashkëshortin tim. Më thënë të drejtën pak me intereson se çfarë thonë njerëzit. Ata që komentojnë dhe paragjykojnë nuk jetojnë me mua dhe nuk e kanë as idenë më të vogël, ndaj çdo gjë që do thoja më besoni, nuk do i ndalte fjalët e njerëzve por, kjo nuk e prish qetësinë time. Jam me fat që kam një zonjë të nderuar si Shpresa Papaproko për vjehrrë. Ajo e kupton më së miri një gazetare pasionante si unë, ndoshta sepse ka qenë bashkëshortja e një tjetër gazetari me emër në ven, siç ishte Agim Papaproko drejtori me jetë gjatë i Radio Tiranës. Ajo më ndihmon pa masë dhe unë jam e lumtur që është gjyshja e fëmijëve të mi. Nëse nuk do kishte qenë vjehrra ime edhe do isha takuar me të në një moment të caktuar të jetës time, jam e bindur që do ishim mikesha të mira.
Cila do të ishte arsyeja që do ta braktisnit këtë punë, dhe nëse do të ndodhte ku do ta shihnit vetën, një profesion tjetër që do t’ju pëlqente të bënit?
Kjo nuk do ndodhte kurrë për asnjë arsye. Profesioni im i dytë është puna sociale dhe unë kam zgjedhur t’i gërshetoj të dyja; pra të jem një punonjëse sociale në ekran.

Pamja juaj prej vitesh në ekran ka qenë nga më modernet dhe më të guximshmet (flasim për flokët), kujt ja keni besuar look-un gjithë këto vite?
Merita Radani është njeriu që kujdeset për mua. Jam një person që më pëlqen e bukura, modernia, dhe jo e zakonshmja dhe Rita e ka kuptuar më së miri këtë tek unë. Me kupton me sy së çfarë kërkoj/ Tirananews.al
