Partia Demokratike do të nisë më 25 shtator votimet në bazë për listën e kandidatëve të mundshëm me të cilët do të garojë në zgjedhjet e 25 prillit të vitit 2021, proces i cili do të zgjasë deri në 11 tetor. Report Tv mësoi dy ditë më parë, se të parët që do të votojnë do të jenë demokratët e Qarkut të Kukësit, të cilët të premten nga ora 10:00-18:00 do të kenë mundësi të votojnë për listën me të cilën duan të shkojnë në garën elektorale. Kurse anëtarësia e PD në Tiranë do të votojë më 10 tetor për kandidatët, lista e të cilëve do të dalë nga Komisioni i Vlerësimit të Kandidatëve që po punon prej 3 gushtit në selinë blu.
Datat e votimeve sipas qarqeve
Qarku i Kukësit 25 shtator
Qarku i Dibrës 26 shtator
Qarku i Gjirokastrës 27 shtator
Qarku i Beratit 28 tetor
Qarku i Shkodrës 30 shtator
Qarku i Lezhës 1 tetor
Qarku i Durrësit 3 tetor
Qarkun Vlorës 5 tetor
Qarku i Korçës 7 tetor
Qarku Tiranë 10 tetor
Edhe në Qarkun e Elbasanit e Fierit votimet do të zhvillohen brenda periudhës 25 shtator-11 tetor. Por cila do të jetë mënyra e votimit të anëtarëve të PD për listën e kandidatëve? Në udhëzimin e Publikuar nga Partia Demokratike, anëtarësia do të votojë nëpërmjet votës kontestuese.
Çdo anëtar ka të drejtën që të shprehë kontestimin e tij (“votë kontestuese”) për një ose më shumë kandidatë nga lista. Numri i lejuar i kandidatëve që mund të kontestohen, përcaktohet në Fletën e Votimit dhe është jo më shumë se 20 % e numrit total të listës së kandidatëve të mundshëm, që janë përfshirë në procesin e konfirmimit nga anëtarësia, për secilën Degë apo Qark. Kandidati që ka më shumë se 20 % “votë kontestuese”, në raport me numrin e përgjithshëm të anëtarëve të Partisë në atë Degë apo Qark, hiqet nga lista e kandidatëve të konfirmuar dhe përfshihet në listën e kandidatëve që u shtyhet aprovimi.
