Kur na ndajnë 7 muaj nga zgjedhjet e përgjithshme të Prillit 2021, Kryeministri Edi Rama është i bindur se ai dhe Partia Socialiste do të fitojnë mandatin e tretë qeverisës. Duke folur nga Vlora ku mori pjesë në aktivitetin për prezantimin e projektit për parkun e ri të Lungomares, Edi Rama tha se populli do t’i japë atë që i takon.
Ram u shpreh se në pjesën e dytë të vitit që vjen do fillojnë ndërtimet në tunelin e Llogarasë.
“Pagat e mjekëve dhe të mësuesve do t’i rrisim. Jo se kemi zgjedhje vitin e ardhshëm. Nuk kanë lidhje me 25 prillin. Po e bëjmë sepse tani janë pjekur kushtet për ta bërë. Patëm një vit të vështirë, si 2019 me tërmetet si 2020 me pandeminë. Ekonomia jonë ra pikiatë, por e ka marrë veten. Kemi parë konsumin nga tvsh e korrikut dhe gushtit, dhe kemi ngritje të ekonomisë. Në formë V-je. Patëm rënie drastike, dhe po ashtu rritje të menjëhershme. Ekonomia po e merr veten, ndaj dhe bëjmë premtime për rritje rrogash. Rruga e Radhimës do të bëhet e re, do të zhvillohet më shumë si zonë. Duam miliona turistë në vitet e ardhshme. Pjesën e dytë të vitit që vjen do fillojnë ndërtimet në tunelin e Llogarasë”, tha Rama.
