Forcat e armatosura përfundojnë në gjykatë në një padi të rrallë, ku ish shefi i shtabit Bardhyl Kollçaku kërkon të anuloj dekretin e presidentit dhe vendimet e ministres Olta Xhacka. Report Tv siguron ekskluzivisht padinë ku Kollçaku kërkon pagën e një muaji si shef shtabi pasi u shkarkua para afatit, rikthimin në detyrë pasi është në lirim dhe gradën Gjeneral Major, e pagën deri në emërimin si ushtarak aktiv.
Bardhyl Kollçaku i la vendin Bajram Begaj në një ceremoni zyrtare më 30 qershor, ndërsa nga ajo ditë ai s’ka patur asnjë dalje publike apo koment duke u rikthyer me një padi ndaj Presidentit dhe ministrisë së mbrojtjes.
Report Tv ka mësuar ekskluzivisht se Bardhyl Kollçaku ka paditur në gjykatë Presidentin e Republikës dhe Ministren e Mbrojtës duke kërkuar që dekreti i lirimit të tij nga detyra një muaj para se ti mbaronte mandati të shfuqizohet.
Së pari ai kërkon të shfuqizohet dekreti i presidentit Meta që si ka dhënë atij gradën madhore Gjeneral Brigade.
Së dyti shfuqizimin e dekretit të presidentit që e ka nxjerrë atë në lirim. Përkatësisht “Shfuqizimin e Dekretit nr. 11571 date 29.7.2020 te Presidentit të Republikës së Shqipërisë, për lirimin e Gjeneral Brigade Bardhyl Myrteza Kollçaku nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë dhe nxjerrjen në lirim nga shërbimi aktiv në Forcat e Armatosura.
Më tej Kollçaku kërkon që gradën madhore ta marrë nga gjykata pasi i është refuzuar nga institucionet. “Detyrimin e të paditurve, të nxjerrin aktet përkatëse për dhënien e gradës madhore “Gjeneral Major” për paditësin dhe kthimin e tij në shërbimin aktiv në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë duke e emëruar paditësin në një funksion në përputhje me gradën “Gjeneral Major”;
Ndalur tek ana financiare ish numri një i forcave të armatosura kërkon që atij ti paguhet paga si shef shtabi për një muaj nga 29 korriku deri më 29 gusht, ditë në të cilën i mbaronte mandati.
Kjo nuk është fatura e vetme ekonomike që kërkon ushtaraku i lartë sot në lirim pasi ai kërkon që nga data 29 gusht kur i përfundonte ligjërisht mandati të paguhet me pagën sipas gradës Gjeneral Major deri në emërimin e tij në funksionin sipas gradës.
Kollçaku u bë shef shtabi gjatë periudhës kur ministër Mbrojtje ishte znj. Mimi Kodheli ndërsa la detyrën në periudhën e ministres Xhaçka të cilën tashmë e ka paditur edhe në gjykatë.
