Taktika bllokuese e maxhorancës socialiste do të ketë efektin e bumerangut është shprehur ish deputeti i LSI-së Edmond Panariti referuar debateve në Këshillin Politik.
“Prishja e dhunshme e marrëveshjes së 5 Qershorit, jo vetëm e futi vendin në përplasje me Bashkimin Evropian dhe SHBA, por rrezikon të godasë thelbin e demokracisë që është organizimi i zgjedhjeve të lira e të ndershme pas 7 muajve. Ky konfuzion i qëllimtë për të çorientuar shqiptarët në zgjedhjet e Prillit të vitit të ardhshëm , është përpjekje për të ruajtur pushtetin me forcë dhe në mënyrë abuzive. Por jam i sigurtë që do të ketë efektin e bumerangut dhe do tu kthehet pas me forcë shkatërruese, fabrikuesve të këtij deformimi”, është shprehur ai në një intervistë.
Ndërkaq ai shprehet optimist se opozita e bashkuar do të fitojë zgjedhjet e 25 prillit.
“Përpjekjet për t’i hequr opozitës të drejtën kushtetuese për tu organizuar në koalicione parazgjedhore.. janë dhunim i hapur i sistemeve zgjedhore demokratike perëndimore. Kjo është çështje parimore dhe e së drejtës. Por opozita e mund në çdo rrethanë dhe në çdo konjukturë pushtetin, sepse kupa ka kohë që është derdhur dhe qytetarët e kanë vendosur largimin e rrënuesve të vendit”, ka thënë ai.
Por cilat janë pritshmëritë e LSI-së, ja si përgjigjet Panariti: “Fitorja e opozitës së Bashkuar është e sigurtë dhe e pashmangshme, sepse është e vetmja rrugëdalje nga rrënimi i vëndit. LSI është përfshirë në proçesin e zgjedhjeve në të gjitha nivelet e saj të organizimit.. Ndërkohë përditë jemi në takime me qytetarët, të rinjtë, gratë, shtresat në nevojë për të ndarë me ta mënyrën dhe rrugën që ne do të ndjekim për ta nxjerrë vëndin dhe shoqërinë nga bataku i Rilindjes”.
