Komisioni i Ligjeve ka miratuar në parim ndryshimet në Kodin Zgjedhor duike vendosur që nismat e propozuara në këtë komision të integrohen në një tekst.
Një gjë të tillë e kërkoi dhe ish ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj. “Kemi një larmi propozimesh nga më të ndryshmet. Ne kemi ngritur dhe një grup pune me tre deputetë, sikur të bënim një gjë të thjeshtë tua jepnim atyre të na e sillnin në një emërues të përbashkët, të shihnim atë tekst të integruar dhe më pas të diskutojmë dhe në parim dhe nen për nen, sepse do na jepte mundësi për të parë qasjet që mos të bëjmë debat të panevojshëm. U artikulua prej z. Murrizi lidhur me numërimin, Mua mu duk interesant, sidomos në kushtet e kësaj formule të re. është e domsodoshme për të krijuar transparencë dhe për të mos krijuar në vazhdimësi tension ebrenda grupeve politike”, tha ai.
Ndërsa Rudina Hajdari tha se i vetmi emërues i përbashkët i këtyre nismave janë listat e hapura. “Emërues i përbashkët janë listat e hapura. Ka një konflikt për mënyrën se si të hapen listat 100% me një votë parapëlqyese ndërkohë që propozimi i Partisë Socialiste bie në konflikt me këtë ide. Ndaj jam dakord me ju që duhet të bëjmë një propozim të integruar po duhet të marrim në konsideratë atë çka ju propozoni në lidhje me listat e hapura, që në thelb kolegët e thanë qartë nuk janë lista të hapura”, iu përgjigj Hajdari Xhafajt.
Kryetari i Komisionit të Ligjeve Ulsi Manja propozoi që dy nismat e deputetëve Murrizi dhe Gjoni dhe të gjitha draft amendamentet e Gjiknurit dhe deputetëve të tjerë të bashkohen dhe të shqyrtohen në një tekst të integruar.
