SHBA nëpërmjet përfaqësueseve të saj vazhdon t’i bëjë thirrje Prishtinës dhe Beogradit për bashkëpunim. Dy ambasadorët e këtij shteti, ai në Prishtinë, Philipp Kosnet, si dhe ai në Beograd, Kyle Scott, përmes një deklarate të përbashkët u kërkuan autoriteteve në Kosovë dhe Serbi që të punojnë për një arritje gjithëpërfshirëse ndërmjet dy vendeve, me njohjen reciproke në thelbin e saj.
Në deklaratën e përbashkët të dy ambasadorëve thuhet se kurajo dhe kreativiteti i treguar nga udhëheqësit në Athinë dhe Shkup për të zgjidhur mosmarrëveshjen e tyre shumëvjeçare duhet të jetë një frymëzim për të gjithë në rajon.
“Si ambasadorë të SHBA-së në Beograd dhe Prishtinë, ne jemi të bindur se udhëheqja politike e matur dhe vizionare mund të çojë në një marrëveshje gjithëpërfshirëse midis Serbisë dhe Kosovës, me njohjen reciproke në thelbin e saj”, thuhet në deklaratë.
Kjo arritje, siç shkruan në deklaratë, do të vendoste themelin për një të ardhme më paqësore dhe më të begatë për të gjithë popujt në këtë rajon.
“Kjo është arsyeja pse ne sot nisim një apel: është koha që Kosova të pezullojë taksën, që Serbia të reagojë në mënyrë konstruktive, që tu jepet fund provokimeve nga të dyja palët, për Beogradin dhe Prishtinën që të kthehen në Dialogun e udhëhequr nga Bashkimi Evropian dhe për të dyja palët për ta përqafuar paqen. Nëse e bëni këtë, ne jemi optimist që ju mund të arrini një marrëveshje historike normalizimi në vitin 2019”, thuhet më tutje në deklaratën e dy ambasadorëve.
Në këtë drejtim, duke folur rreth marrëveshjes së mundshme ndërmjet dy vendeve, ambasadorët theksojnë faktin se Shtetet e Bashkuara besojnë se zgjidhja duhet të jetë e zbatueshme si në Kosovë ashtu edhe në Serbi dhe duhet të kontribuojë në stabilitetin afatgjatë të rajonit.
“Është në detyrën e udhëheqësve dhe ekipet e tyre që të rifillojnë bisedimet e udhëhequra nga BE për të eksploruar atë që është e mundur dhe për të komunikuar në mënyrë transparente me qytetarët e tyre – për të siguruar që bisedimet reflektojnë vullnetin e popullit dhe për të ndihmuar në kapërcimin e ankthit dhe dyshimit”.
