Artan Shkëmbi është paraqitur paraditen e sotme pranë GJKKO ku do të merrej në pyetje, por seanca u shty pasi avokati i tij kërkoi kohë që të njihet me çështjen.
Ish kreu i OFL-së akuzohet për korrupsion dhe nxjerrje të sekretit hetimor. GJKKO ka pranuar të shtunën kërkesën e Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për të pezulluar nga detyra drejtuesin e lartë të Policisë deri në përfundim të hetimeve. Mësohet se SPAK po kryen hetime për “Shpërdorim detyre” për shkak të nxjerrjes së një sekreti hetimor nga ana e Artan Shkëmbit.
Të dhënat flasin për një hetim që po kryhet edhe në Gjermani. E megjithatë, jo pak persona, edhe brenda Policisë së Shtetit, e kanë parë me dyshim mundësinë reale të nxjerrjes së një sekreti nga Shkëmbi, duke qenë se ai vetë ka shërbyer për 6 vjet me radhë si oficer kontakti në shtetin gjerman dhe ka qenë një nga bashkëpunëtorët më të ngushtë të autoriteteve ligjzbatuese atje.
Nga ana tjetër, Artan Shkëmbi, i cili kaloi me sukses tri kriteret e vetingut, duke u konfirmuar në detyrë më 28 shkurt nga Komisioni i Jashtëm i Vlerësimit, rezulton i pajisur me certifikatë sigurie CSP, “Tepër Sekret”. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu, ka komanduar në vend të tij oficerin e lartë të Policisë, Hekuran Bregu, i cili ishte një ndër 19 oficerët që morën “Medalje Nderi” nga ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, në janar të këtij viti, për kontributin e dhënë në ditët pas tërmetit.
