Kompleksi luksoz “Adorions Palace” në Maminas është qëlluar me breshëri plumbash.
Mësohet se ngjarja ka ndodhur në orën 04.10 të mëngjesit të sotëm, ndërsa nga të shtënat nuk ka persona të lënduar.
Kompleksi luksoz është në pronësi të biznesmenit Eugert Lazaj, i cili u vetëvra me armë zjarri në vilën e tij në Farkë, në 30 korrik 2020. Deri tani nuk ka njoftim zyrtar për ngjarjen nga Policia e Shtetit.
Më 30 korrik 2020, biznesmeni 37-vjeçar, Eugert Lazaj, është gjetur pa jetë në vilën e tij private, brenda kompleksit “Rolling Hills” në Farkë.
Pranë tij u gjet një armë zjarri që sipas policisë ai e ka përdorur për t’i dhënë fund jetës. Megjithatë ende nuk dihet ekzaktësisht nëse është vetëvrarë apo është vrarë nga vrasës profesionistë.
Sipas informacionit zyrtar, biznesmeni ishte i lindur e rritur në Shqipëri, por Lazaj e ka lënë shtetësinë shqiptare qysh më 26.11.2004, në moshën 21-vjeçare, për të jetuar jashtë saj me shtetësi tjetër.
Ndërkohë, pak ditë më parë u zbulua nga grupi i hetimit i ngritur nga Prokuroria se arma me të cilën ai ka vrarë veten është e njëjta me të cilën më 4 tetor të 2018-ës, komando Merviol Bilo ekzekutoi Fabiol Gaxhën, në ish-Bllok.
