Ish-deputeti demokrat Fatos Hoxha ka sulmuar Kryetarin e PD Lulzim Basha dhe Sekretarin aktual organizativ të kësaj partie, Sahit Dollapi për lidhje të fshehtë me inceneratorët. Fatos Hoxha ngre dyshime nëse kryetari i PD Basha do i shkojë deri në fund çështjes së inceneratorëve, pasi njeriu i tij Sahit Dollapi përmes kompanisë që zotëron ka përfituar shuma të konsiderueshme . Ai shton më tej se emri i kompanisë së Dollapit shfaqet edhe në lejen e ndërtimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
“A do t’i shkojë deri në fund çështjes së inceneratorëve, siç u shpreh në bashkëbisedim me gazetarët sot, kryetari i opozitës Basha?
Në raportin e rrjetit të gazetarëve investigativ BIRN, për monopolin e inceneratorëve thuhet gjithashtu…
Në vitin 2017, kompania “Onyx” e sekretarit aktual organizativ të Partisë Demokratike, Sahit Dollapi u kontraktua për punime elektrike në zonën e trajtimit të mbetjeve në Fier. Emri i kompanisë së Dollapit shfaqet edhe në lejen e ndërtimit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.
Ndërtimi i zonës së trajtimit të mbetjeve u shoqërua me protesta dhe revoltë nga banorët e fshatit Vërri –protesta të cilat u mbështetën edhe nga Partia Demokratike.
I pyetur nga BIRN, Dollapi sqaroi se kompania e tij “Onyx” ka kryer punime elektrike me vlerë rreth 5.6 milionë lekë për impiantin e Fierit dhe se kjo nuk ka ndikuar në angazhimet e tij politike.
“Punimet janë kryer në një periudhë kur unë nuk mbaja asnjë funksion në PD, në vitin 2017 dhe shkurt 2018. Jam zgjedhur sekretar organizativ në janar 2019,” tha Dollapi”, shkruan ish-deputeti I PD-së, Fatos Hoxha.

