Kryeministri Edi Rama në konferencën për shtyp për ekonominë foli edhe për pritshmëritë dhe pakënaqësitë e qytetarëve.Sipas tij, është shumë normale dhe legjitime që njerëzit kanë kaq shumë pritshmëri.
Për këtë gjë, Rama ia jep meritat vetes. Në rast se do të ishte dikush tjetër, tha ai, pritshmëritë do të ishin të një natyre tjetër.
“Këtu është çështja e pritshmërisë legjitime të njerëzve për të pasur më shumë. Natyrisht kjo pritshmëri për të pasur më shumë vjen sepse këtu jam unë dhe këtu është PS.
Po të ishin të tjerët pritshmëria do të ishte “shyqyr mos na vrasin, shyqyr mos na rrahin, shyqyr mos na telendisin, shyqyr se ka dhe më keq”. Me ne është sa keq se ka dhe më mirë. Sfidë e madhe është, unë e kam pranuar dhe e pranoj deri në fund” u shpreh kryeministri.
Rama nuk kurseu edhe batutat me gazetarët, duke thënë se ata do ti marrë malli për të, kur të mos jetë më në pushtet.
“Më vonë pastaj kur mos të jem këtu, ju të parët do ju marrë kaq shumë malli saqë nuk do e imagjinoni dot sot. Ku do gjeni një tjetër si puna ime, ju gazetarët, mediat”, tha Rama.
