Shtatë vrasjet e ndodhur së fundmi në vendin tonë kanë të njëjtin autor të dyshuar, Nuredin Dumanin, një emër shumë i njohur në botën e krimit. Pas ekzekutimit të dy vëllezërve Haxhia në Durrës, (Viktor dhe Besimir), të Dorjan Shkozës dhe Anxhelo Avdia në 2 mars të këtij viti, vëllait të Talo Çelës, Bujar Çela në Elbasan, emri i tij është i lidhur edhe me vrasjen e Emiljano Ramazanit në Elbasan. Të gjitha këto vrasje të kryera në harkun kohor prej 7 muajsh.
Ekzekutimi i Emiljano Ramazanit më 20 korrik është bërë në bashkëpunim me mikun e tij të ngushtë, Klevis Kapllani. Ndaj këtij të fundit, grupi hetimor bën me dije se ka përputhshmëri me karakteristikat e autorit që ekzekutoi 39-vjeçarin.
Mirëpo, ka qenë kjo vrasje, që është bërë shkak edhe për ekzekutimin e vetë Kapllanit nga miku i tij, Nuredin Dumani. Dyshohet se pas këtij ekzekutimi marrëdhëniet mes Dumanit dhe Kapllanit janë acaruar për çështje parash. Për pasojë, Dumani ka bërë ekzekutimin e Kapllanit më 15 shtator shumë pranë shtëpisë së tij. Nuredin Dumani dhe Klevis Kapllani, janë nga i njëjti fshat, Sinaballaj dhe para se Dumani të shpallej në kërkim nga policia, ata shoqëroheshin bashkë në publik.
