Në Shqipëri nisi sot zbatimi i aktit normativ për vendosjen e detyrueshme të maskave jashtë ambienteve të shtëpisë. Në rrugët e Tiranës nga një vëzhgim në orët e mëngjesit sheh njerëz që mbajnë maskën, të tjerë që e mbajnë nën mjekër por dhe nga ata që nuk mbajnë fare.
Të pyetur nga tirananews.al qytetarët që e mbajnë maskën kanë mendime të ndryshme. “Unë nuk e mbaj se tha qeveria po e kam mbajtur gjithmonë që kur nisi pandemia. Jemi të moshuar moj vajzë kemi frikë”, thotë Mehmeti, një 70-vjeçar i cili çdo mëngjes bën shëtitjen e tij në rrugët e qytetit.

“Të them të drejtën më duket absurde maska në ambient të hapur. Po e mbaj për të mos marrë atë gjobën. Se kuptoj pse duhet të ketë gjoba. Pashë një lajm dje që në Itali polici i dhuronte maskë qytetarit që nuk kishte, kurse këtu kërcet fleta gjobës. Plus dhe e kemi detyrim në punë se ndryshe rri në shtëpi të thonë, lëre punën. Frikë nga virusi? Edhe ajo është”, thotë Eltoni, 28-vjeçar i cili është duke nxituar për të shkuar në punë me maskën vendosur siç duhet.
Ndërsa një tjetër qytetar i cili e ka vendosur maskën nën mjekër duke nxituar të thotë as ka pse të vihet maska jashtë, e kam vënë kështu që sa të shoh policin ta vendos.

Ka dhe nga ata që nuk e mbajnë maskën fare, duke mos pasur frikë as nga gjoba e as nga virusi. “Nuk mund të shfrytëzosh pandeminë për të vënë diktatin. Se kuptoj pse duhet maska në rrugë kur ti e respekton distancën. Kjo është çmenduri. As kam për ta vendosur dhe atë gjobë nëse do e marr refuzoj ta paguaj”, thotë Aleksi, edhe pse i themi se gjoba do vendoset te fatura e dritave. “Një tjetër çmenduri” thotë ai.

Por qytetarët janë mes frikës së gjobës dhe virusit. A është kjo strategjia e duhur për të parandaluar përhapjen e infeksionit nga COVID-19. Edhe vetë ekspertët janë të ndarë në mendimet e tyre edhe pse të gjithë kërkojnë kujdes nga qytetarët.
Ndërkohë në urbane situata vijon po njësoj, pa respektim distance për shkak të fluksit, dhe pse një pjesë sot kanë vendosur maskën rregullisht.

Sërish pyetja mbetet frikë nga gjoba apo virusi?/ tirananews.al
UDHËZUESI:
Udhëzuesi përmban parimet e përdorimit të maskës dhe gjithashtu rastet kur ajo duhet të mbahet në ambientet jashtë shtëpisë.
a. Sa herë dilni nga shtëpia;
b. Cdo individ mbi moshën 11 vjeç;
c. Gjatë të gjithë ditës gjatë të gjithë veprimtarisë jashtë banesës.
d. Në çdo dyqan, supermarket apo aktivitet tregtar
e. Në të gjitha mjetet e transportit publik dhe jo publik kur në to gjenden persona të tjerë përveç drejtuesit të automjetit.
f. Edhe gjatë ecjes në rrugë
g. Gjatë qëndrimit në të gjitha vendet publike të hapura si park apo shesh
h. Gjatë të gjithë aktivitetit të punës në zyra, të gjithë institucionet publike dhe jo publike, teatër, kinema, muze, biblioteka, etj
i. Në hyrje dhe dalje nga banesa si dhe ashensorë
j. Përpara dhe pas konsumit të ushqimit në bare dhe restorante
k. Në motoçikletë kur merr një person tjetër jo anëtare të familjes
l. Nëse jeni duke u kujdesur në shtëpi për një familjar me COVID-19
m. Në të gjitha institucionet fetare.
n. Nga personat që e kanë kaluar SARS COV -2 për t’u mbrojtur nga shkatarët e tjerë infektivë respiratorë.
o. Në institucionet arsimore dhe ato të kujdesit shëndetësor sipas rekomandimeve të mëparshme.
Vendosja e barrierës mbrojtëse (maskës) nuk mund të jetë e mundur në çdo situatë. Prandaj, ekzistojnë gjithashtu skenarë në disa raste kur ju lejohet të hiqni atë apo të modifikoni përdorimin e saj.
a. Nëse kërkohet për qëllime të identifikimit personal nga zyrtarët përkatës në polici, në bankë, postë, gjykatë, etj
b. Gjatë ngrënies apo konsumimit të pijeve por në hyrje e në dalje nga baret dhe restorantet maska duhet të vendoset.
c. Gjatë proçesit të manipulimeve dentare por në hyrje e në dalje nga klinika maska duhet të vendoset.
d. Nga personat që mbajnë/drejtojnë lutjen/shërbesën/ceremoninë fetare
e. Nga persona me humbje të dëgjimit dhe të folurit ose për personat gjatë kohës së komunikimit me ta, nëse nuk kanë mundësi të përdorin maska të posaçme (trasparente).
f. Nëse kërkohet nga stafi i dyqaneve ose marketeve përkatëse për identifikim të moshës, përfshirë blerjen e produkteve me moshë të kufizuar, siç janë duhani dhe alkooli
g. Nga punëtorët që punojnë në ambjente të jashtme, gjatë procesit të punës kur sigurohet distance fizike jo më pak se 1.5m.
h. Nga të ftuarit në emisonet televizive me kusht që të ruhet distanca jo më pak se 1.5 metra.
Udhëzuesi i miratuar përcakton qartë rastet përjashtimore të përdorimit të barrierës mbrojtjesë (maskës).
a. Në të gjitha rastet kur përdorimi i maskës dëmton shëndetin sipas rekomandimit të mjekut të familjes.
b. Nga persona me sëmundje që i bëjnë të paaftë për përdorimin maskës.
c. Gjatë ushtrimit të aktiviteteve sportive.
d. Nga persona të cilët lëvizin të vetëm me biçikletë, motoçikletë apo monopatinë.
e. Kur në makinë është vetëm drejtuesi i mjetit ose persona që kanë lidhje familjare me të
f. Në aktivitete që mund të shkaktojnë lagien e maskës, si p.sh. gjatë larjes në pishinë, liqe ose në det.
g. Në shtëpi me anëtarët e ngushtë të familjes.
