Duke nisur nga dita e sotme nis kufizimi i hyrjes në Tiranë nga Dogana pasi do të nisin punimet për fazën e radhës për ndërtimin e Unazës.
Mëngjesin e sotëm ka nisur prishja e ndërtesave për në zonën nga Astiri deri tek Pallati me Shigjeta. Policia rrugore kishte marrë masa për mbarëvajtjen e trafikut në një zonë që është mjaft e populluar si Unaza e Re.
Pas përfundimit të fazës së parë dhe të dytë të punimeve, faza e tretë është faza më e vështirë dhe e komplikuar dhe do të zgjasë katër muaj. Drejtori i ARSH Ergys Verdho tregoi si do orientohet lëvizja e automjeteve përgjatë 4 muajve që do të kryhen punimet në këtë zonë.
“Nga autostrada e Durrësit mjetet do të futen po prapë me tre korsi në drejtim të “Pallatit me Shigjeta”. Mjetet e tjera që vijnë nga “Pallati me Shigjeta” derivojnë në dy korsi dhe vijnë bashkohen me këta që vijnë nga Tirana. Në këtë pjesë do të zgjidhet me një korsi shtesë. Do të shkohet deri te Astiri me një rrethrrotullim, ku do të mundësohen të futen për në Tiranë. Është faza e tretë që do të zgjas katër muaj intensive ditë e natë”, u shpreh Drejtori i ARSH, Ergys Verdho.
