Thomas Strakosha tashmë duhet të ketë kujdes pasi te Lacio ka ardhur ora e Pepe Reina. Portieri i afruar gjatë verës nuk ka ardhur për të qëndruar në pankinë dhe paraqitjet e mira në ndeshjen e radhës, mund ta bëjnë një rival të fortë që i rrezikon fanellën e titullarit gardianit kuqezi.
Sipas mediave italiane, për shkak të ngjeshjes së ndeshjeve në këtë periudhë të sezonit mes kampionatit e Europës, te Lacio po mendojnë seriozisht rotacionin dhe ai do të fillojë pikërisht nga porta, ku Strakosha ka qenë i pazëvendësueshëm në sezonet e fundit. Që nesër, ndaj Bolonjës, në fushë pritet të zbresë Pepe Reina, në mënyrë që Strakosha të bëjë pak pushim e të mendojë për ndeshjen e radhës në Ligën e Kampioneve.
Por shumë gjëra do të varen nga paraqitjet e Reinas, i cili është afruar për të ndihmuar nëpërmjet rivalitetit Strakoshën që të bëjë hapin e radhës para. Gardiani spanjoll është ende në formë të mirë dhe nëse paraqitet në nivelin e duhur në këtë ndeshje, nuk është çudi që Inzagi të vendosë të shtojë minutat e tij në dëm të Strakoshës, pasi e kishte kërkuar vetë një portier të tillë.
