Gjatë mbrëmjes së djeshme rrugët e Napolit në Itali u mbushën nga qytetarë që protestonin kundër masave të marra në kuadër të luftës kundër koronavirusit. Qindra të rinj u përplasën me policinë dhe me pankarta në duar shpërthyen në thirrje kundër qeverisë: “Nuk po na vret COVID-i, po na vrisni ju!”.
Siç raportojnë mediat italiane, turma e qytetarëve marshuan drejt Largo San Giovanni Maggiore dhe Universitetit Lindor të Napolit.
Reagimi në fjalë erdhi pas deklaratës së bërë nga presidentit, Vincenzo De Luca për një tjetër mbyllje të vendit. Ndër banderolat që përdorën protestuesit ishin dhe; “Na mbyllni dhe na paguani”.
Për të shpërndarë dhe qetësuar turmën e qytetarëve, policia përdori gaz lotsjellës dhe tymuese, ndërkohë që protestuesit iu përgjigjën duke goditur dhe thyer xhamat e një makine policie.


