E diel fantastike për Bernard Berishën. Pasi i dhuroi avantazhin Akhmat Groznyt me një penallti në minutën e 14-të (të cilën e fitoi po vetë) në sfidën shtëpiake me Ufa, 29-vjeçari nga Peja ka realizuar një tjetër gol dhe ka dhuruar asistin e golit të dytë.
Miqtë barazuan takimin në minutën e 57-të, ndërsa vendasit mbetën me 10 lojtarë një minutë më pas. Pavarësisht inferioritetit numerik, Berisha veproi bukur në krah në minutën e 68-të, hodhi një top në zonë dhe Iljin e shtyu në rrjetë.
Nëntë minuta më vonë erdhi edhe goli i qetësisë për skuadrën çeçene. Sulmuesi anësor i Kosovës, iu shkëput mbrojtjes mike, dribloi portierin kundërshtar dhe dërgoi topin në rrjetë.
3-1 për Akhmat Grozny, dygolësh dhe asist për lojtarin dardan, i cili ngjitet në kuotën e 4 golave në kampionatin rus të futbollit, aty ku numëron edhe dy asiste këtë sezon.
