Dyshohet se viktimat Ismail Hoxha, Fatos Çesku dhe Rexhep Rushiti kanë qëndruar më shumë se 24 orë në galerinë nr.1, në fshatin Kacni, njësia administrative Selishtë.
Policia, banorë të zonës dhe specialistë të avari-shpëtimit mbërritën në minierë mesnatën e një nate më parë. Pasi mundësuan ajrimin e galerisë hynë brenda dhe gjetën trupat e pajetë të 62 vjeçarit Ismail Hoxha, pronari i liçensuar i minierës së kromit dhe dy minatorëve, Fatos Çesku 55 vjeç e Rexhep Rushiti 33 vjeç.
Dëshmitarë okularë në vendin e ngjarjes pohuan për tirananews.al se viktimat janë gjetur në thellësinë 40 metra, 3-4 metra larg njëri-tjetrit.
Mësohet se viktimat kishin probleme të mëdha ekonomike, madje Rushiti vitet e fundit ka humbur në stogjet e kromit në Bulqizë nënën dhe vëllain e tij.
