Komisioneri Publik ka ankimuar vendimin e KPK-së për prokuroren e Durrës Enkeleda Osmani (Xhengo). Ajo u konfirmua në këtë detyrë nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit në korrik të këtij viti.
Në seancën dëgjimore në KPK, Komisioni evidentoi si problem mungesën e dokumentacionit për të ardhurat e bashkëshortit në disa kompani biznesi. Sipas relatores Bekteshi, nga hetimi kishte rezultuar diferencë e madhe mes të ardhurave të deklaruara të bashkëshortit dhe të ardhurave për të cilat Instituti i Sigurimeve Shoqërore dhe Tatimet konfirmonte pagesën e detyrimeve tatimore.
Prokurorja Osmani në fjalën e saj pretendoi se të gjitha të ardhurat e saj ishin të ligjshme, ndërsa fajësoi kompanitë për të cilat bashkëshorti kishte punuar për mospagimin e detyrimeve. Ajo vuri në dukje se kishte tre padi ndaj këtyre kompanive, ndërsa po ashtu theksoi se në një rast, ish-punëdhënësi e kishte pranuar përgjegjësinë dhe kishte paguar detyrimet.
