Maxhoranca ka përfunduar hartimin e draftit të Ligjit për Presidentin, dhe një nga hartuesit e tij, deputeti socialist Adnor Shameti tha se është gjetur dakordësi për ligjin që ti nënshtrohet procedurave parlamentare.
Sipas Shametit, ky ligj nuk cënon dhe as ngushton kompetencat e presidentit, por i jep fund problematikave artificiale të krijuara ndër vite.
“Grupi i punës ka përfunduar draftin për ligjin. Ndjesë për vonesën, por i dhamë dorën e fundit disa detajeve që ishin përcaktuar në ligjin organik. Hartimi i ligjit për funksionimin e institucionit të presidentit të Republikës ka qenë domosdoshmëri. E theksoj që është ligj organik pasi bëhet për një institucion kushtetues. Ky ligj ka analizuar dhe elaboruar në detaje procedurën që institucioni i Presidencës duhet të ndjekin në ushtrimin e detyrës. Me këtë ligj marrin fund të gjitha problematikat artificiale, të lindura në vitet e shkuara dhe mos të lindin më.”, tha Shameti.
