Avokati Idajet Beqiri shprehet se seanca për Izet Haxhinë i akuzuar për vrasjen e Azem Hajdarit do të shkojë në rrugën e duhur vetëm pas përjashtimit nga trupa gjykues të gjykatësit Lazer Sallaku.
Beqiri tha se ky gjykatës sa herë që bëhet fjalë për Sali Berishën dhe Lulzim Bashën, e mbyll çështjen, pavarësisht provave të forta që mund të ketë.
“Kjo gjykatë u kthye shumë prapa, se as nuk e kanë thirrur dëshmitar, te kryesuesi i këtij trupi gjykues, është Lazer Sallaku, ne kemi kërkuar 3 herë përjashtimin e tij nga trupi gjykues. Ai po qe Berisha dhe Basha e mbyll çështjen, është i kapur dhe do ta çojë procesin aty ku rrjedh e keqja. Haxhia bëri padi civile ndaj tij dhe i kërkoi dëmshpërblim se po e mban në burg për një vit me pa të drejtë. Kryetari i seancës është i paditur dhe jemi në gjyq civil, si mund të gjykojë Haxhinë ky takim? Nuk mund të jetë i paanshëm, vdiqën gjykatat që të zëvendësohet ky njeri? Të paktën të zëvendësohej, mund të vihet në rregull ky proces”, tha Beqiri për Report Tv.
