Prokuroria e Tiranës sekuestron bilancet e shkollës “Turgut Ozal” në Tiranë. Dyshohet se kjo shkollë është përdorur për pastrim parash pasi, sipas indicjeve të organit të akuzës, ka të ardhura më të larta se ato që deklaron.
Ndërkohë, vetë drejtuesit e “Turgut Ozal Education” i kanë konsideruar veprimet e Policisë dhe Prokurorisë si të qëllimshme. Gazetarja Klodiana Lala thotë se sipas tyre, aktiviteti i shkollës është në përputhje me ligjin shqiptar. Organi i akuzës ka marrë në pyetje adiminstratorët e shkollës dhe ka kërkuar që ata të dorëzojnë bilancet e tyre.
Për këtë hetim janë informuar nga Prokuroria e Tiranës institucionet më të larta të vendit, dhe Ambasada Amerikane. Kjo e fundit nuk dihet se për çfarë arsye. Ndërkohë, edhe në ambientet e shkollës në autostradën Tiranë-Durrës Prokuroria ka kryer kontrolle.
“Turgut Ozal Education” është institucioni më i madh arsimor privat në Shqipëri dhe e ka filluar aktivitetin në vitin 2001. Tre vite më parë shkolla ka ndryshuar pronar. Të dhënat e deklaruara nga vetë shoqëria tregojnë se blerësi është BF Cooperatief U.A, një kompani e regjistruar pranë Dhomës Tregtare të Amsterdamit edhe pse emërimet që janë bërë më pas në Këshillat Mbikëqyrës dhe hallkat e tjera të drejtimit tregojnë se zotëruesit janë sërish nga Turqia.
Vlera e shitjes rezulton rreth 10 milionë dollarë, sipas transaksionit të deklaruar në QKB. Aktualisht, administratorë të këtij institucioni arsimor janë Hüseyin Yilmaz, Mustafa Aslan dhe Mustafa Ustuner.
