Policia e Elbasanit bën të ditur se pas tetë vitesh është vënë në pranga një 28-vjeçar i cili ka marrë masën arrest me burg në akuzën “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim”.
Bëhet fjalë për vrasjen e Gentian Beqirit dhe babait të tij Nezir Beqiri, ngjarje e ndodhur në 15 gusht 2012 në banesën e viktimave.
Klajdi Dakoli, i arrestuar sot në bashkëpunim me Jorgo Leka i arrestuar më herët në Greqi për ngjarjen kanë vrarë Beqirin teksa ishte në shtëpi me masën e sigurisë Arrest në shtëpi.
Sipas lajmeve të asaj kohe në media, Jorgo Leka përdori një pistoletë me silenciator dhe u fut në banesën e familjes Beqiri duke u paraqitur si kushëriri i tyre, pasi shtëpia ruhej nga dy oficerë policie. 41-vjeçari cilësohej si një person me rrezikshmëri të lartë dhe ishte një ndër të dyshuarit që nisi 173 kilogramë kokainë nga Athina në Portin e Durrësit, por që ishte zëvendësuar me oriz.
Emrin e Jorgo Lekut, si ekzekutor të babë e bir, e nxori dëshmitari i penduar i drejtësisë, Ervis Bardhi. Sipas policisë vrasja e Gentian Beqirit ishte për hakmarrje. Gentian Beqiri ishte një ndër personat që vrau Sokol Çapjen në Elbasan dhe ngjarja u pa si shenjë hakmarrje. Dyshohet se Jorgo Leku u përdor si vrasës me pagesë.
NJOFTIMI
Elbasan
Vijon puna hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes së ndodhur në vitin 2012, në Elbasan, ku mbetën të vrarë me armë zjarri shtetasit G. B. dhe N. B. (babë e bir).
Në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Elbasan, pas një pune të mirëfilltë hetimore nga Seksioni për Hetimin e Krimeve të Rënda në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan, në koordinim nga Departamenti i Policisë Kriminale në DPPSH, në kuadër të procedimit penal në lidhje me ngjarjen e ndodhur më datë 15.08.2012, në Elbasan, është bërë kapja dhe ndalimi i shtetasit:
K. D., 28 vjeç, banues në Elbasan, të cilit Gjykata e Shkallës së Parë Elbasan i ka vendosur masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vrasja në rrethana të tjera cilësuese” e kryer në bashkëpunim”, pasi ky shtetas dyshohet se në bashkëpunim me shtetasin J. L. ( i cili është arrestuar me parë), më datë 15.08.2012, kanë vrarë me armë zjarri shtetasit G. B. dhe N. B. (babë e bir), në banesë.
Në drejtimin e Prokurorisë së Rrethit Elbasan vijon puna intensive për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë ngjarje.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës Parë Elbasan, për veprimet e mëtejshme procedurale.
