CEO i “Pfizer”, Albert Bourla shiti të hënën 60 % të aksioneve të tij në kompaninë e ilaçeve për 5.6 milion dollarë, dhe pikërisht në të njëjtën ditë firma njoftoi mbi efektshmërinë 90% të vaksinës së saj për COVID. Ndërkohë ditën e sotme kompania tha se shitja ishte pjesë e një plani të paralajmëruar të tregtisë, që ishte miratuar më 19 gusht të këtij viti.
‘Shitja e këtyre aksioneve është pjesë e planifikimit personal financiar të Dr. Bourla dhe një plan i paracaktuar, i cili lejon aksionarët kryesorë dhe personat e brendshëm të korporatave, të listuara në shkëmbim, të tregtojnë një numër të paracaktuar të aksioneve në një kohë të paracaktuar“-njoftoi ‘Pfizer’.
Po ashtu, nënkryetari ekzekutiv i kompanisë dhe shefi i çështjeve të korporatave, Sally Susman, shiti gjithashtu më shumë se 43,000 aksione me vlerë 1.8 milion dollarë. Sipas mediave të huaja, në maj, dy drejtues në firmën e ilaçeve Moderna, shitën në ati 30 milion dollarë aksione, pasi njoftuan për zbulimin e një vaksine për koronavriusin.
Zyrtari kryesor financiar i Moderna, Lorence Kim dhe shefi mjekësor Tal Zaks shitën aksionet kur çmimi i tyre u rrit shumë, pas njoftimit të kompanisë për ato që i përshkroi si rezultate ‘pozitive’ nga prova e vaksinës.
Mediat bëjnë më dije se të dy drejtuesit futën në xhep gati 25 milion dollarë fitime për një ditë, përpara se ekspertët të vinin në dyshim suksesin e vaksinës dhe kjo bëri që aksionet të binin sërish. Ndërkohë, në shtator, Bourla premtoi se ata do të dinin nëse vaksina ishte efektive deri në fund të tetorit, një afat që përputhej me premtimin e Trump për të gjetur një vaksinë që funksionon, para zgjedhjeve të 3 nëntorit.
“Pfizer” të hënën e kësaj javë, njoftoi se vaksina e saj eksperimentale COVID-19 ishte më shumë se 90 përqind efektive bazuar në rezultatet fillestare të provës, duke bërë që aksionet e saj të arrin vlera të larta në tregjet kryesore të aksioneve në botë.