Edhe pse Protokolli i aderimit të Maqedonisë së Veriut në NATO mori votat e të gjithë deputetëve në komisionin e jashtëm nuk kanë munguar as kritikat ndaj relacionit të ardhur nga Këshilli i Ministrave.
Ish- ministri i Jashtëm Ditmir Bushati këmbënguli që të mos trajtohej si një marrëveshje e radhës e ardhur në Kuvend, pasi ka mjaft mangësi përsa i përket rolit të Shqipërisë në këtë proces, por dhe të shqiptarëve të Maqedonisë.
Sigurisht eksperienca bën të vetën, dhe kujtesa e Bushatit ishte mjaft e saktë për ti sjellë në vëmendje qeverisë hapat konkretë që ka bërë Shqipëria përsa i përket procesit të anëtarësimit të Maqedonisë në strukturën euroatlantike dhe evropiane. Por edhe shqiptarët e Maqedonisë, pasi ata nuk janë thjesht një prezëncë atje po flasim për shqiptarët si një nga dy komunitetet shtetformuese në Shkup.
Nuk duhet të jemi në garë me vendet e tjera se kush e ratifikon e para këtë marrëveshje tha ish shefi i dipomacisë shqiptare, por duhet të theksohet interesi strategjik i Shqipërisë.
“Është shumë e rëndësishme jo vetëm në raportin e këtij komisioni, po dhe raportin që do të keni ju zonja kryetare, në Kuvend, për t’u përcaktuar qartë sepse nuk përmendet në relacion marrëveshja e Ohrit. Në rast se flasim për interesin tonë strategjik në rajon, këtu nuk është një garë mes nesh, Sllovakisë, Greqisë e Bullgarisë e kush do ta ratifikojë këtë marrëveshje i pari, por krahas kufizimit të rolit dhe peshës së aktorëve të tretë në rajon, me ankorimin e Shkupit në NATO, interesi strategjik i Shqipërisë dhe politika shtetërore e Shqipërisë e konfirmuar nga të gjitha qeveritë e pas ’90, ka të bëjë me avancimin e të drejtave të shqiptarëve atje. Dëgjova përfaqësuesit e qeverisë, ka një politikë shtetërore Shqipëria në këtë pikë. Nuk flasim as për sasi dhe as për prezencë shqiptarësh, flasim për shqiptarët si një nga dy komunitetet shtetformuese në Shkup. Dhe kjo është pjesë e programit të politikës së jashtme të kësaj qeverie që e kemi miratuar të gjithë në Kuvend, të paktën ne të maxhorancës, është e konfirmuar në samitin e Uellsit, i cili duhet të jetë pjesë meqënëse nuk është pjesë e relacionit të sjellë nga Këshilli i Ministrave, është bërë betejë në 2014 për të përfshirë Marrëveshjen e Ohrit si kriter për avancimin e vendit në NATO dhe duhet të figurojë zyrtarisht si dokument i Kuvendit të Shqipërisë”, tha Bushati në fjalën e tij.
Syrit të një ish ministri me një eksperiencë të gjatë në politikë të jashtme nuk mund të mos i shpëtojë edhe lapsuset. Në relacion ngatërrohet samitet e NATO-s me ato të Bashkimit Europian. Dhe Bushati vë theksin në seriozitetin e dokumentit, pasi ka të bëjë me politikën shtetërore të Shqipërisë.
“Mund t’ju them duke nisur nga konstatimi në relacion ku flitet për Maqedoninë vend kandidat në NATO, pas samitit të Uashingtonit, besoj se është një lapsus, është ngatërruar mbase me procedurat që ka procesi i anëtarësimit në Bashkimin Europian. Prandaj duke përfunduar këtë pjesë që ka lidhje me substancën e kësaj marrëveshje që ne kalojmë sot, duke mos i hequr asnjë presje pjesës që bën departamenti i të drejtës ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme, te pjesa substanciale mendoj se duhet të jemi të kujdesshëm për ta qepur si duhet këtë dokument se ka të bëjë me politikën shtetërore tonën, dhe nuk është thjesht një marrëveshje ndërkombëtare e radhës që ne po kalojmë sot këtu”, tha Bushati në komision.
