E gjithë bota po përballet me pandeminë e shkaktuar nga virusi SarsCov2, por jemi në muajt e dimrit dhe kjo stinë sjell edhe gripin sezonal i cili duhet të ketë një rëndësi të veçantë. Sipas ekspertëve gripi nuk duhet neglizhuar pasi edhe rastet e humbjes së jetëve nga ai janë në nivele të konsiderueshme çdo vit përveç komplikacioneve që mund të sjellë tek grupe të tjera në risk.
Si pasojë e pandemisë vaksinimi ndaj gripit sezonal po konsiderohet mjaft i rëndësishëm, pasi sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë e gjitha bota si pasojë e qarkullimit edhe të gripit sezonal mund të përjetojë një ” pandemi” të dyfishtë.
Erida Nelaj, Shefe e Sektorit të Vaksinimit në ISHP ishte e ftuar mëngjesin e sotëm në “Wake Up” ku tha se vaksina e gripit sezonal duhet të bëhet edhe nga personat që kanë kaluar Covid-19. Por ajo theksoi se ata duhet të jenë në gjendje të mirë shëndetësore, në momentin që bëjnë vaksinën e gripit.
“Për sa i përket vaksinës së gripit, thjesht rekomandohet që të bëhet kur personi te jetë mirë nga ana shëndetësore, për të mos pasur përplasje me një sëmundje tjetër dhe pastaj ja atribuojnë vaksinës së gripit, para se të shohin një faktor tjetër,Efektet janë shumë të lehta, duke filluar nga dhimbja në vendin e injektimit që mund të zgjasë një ditë, ndonjë dhimbje koke, ndonjë temperaturë të lehtë në 24 orët e para. Jo në të gjitha rastet, por në disa raste të rralla”, sqaroi ekspertja.
