Festat e këtij fundviti, Krishtlindjet dhe Viti i Ri do të festohen në kushte të pazakonta për shkak të pandemisë së COVID-19 dhe do të jemi vetëm bashkë me familjen e ngushtë pa festa jashtë. Dekori i festave të këtij viti mbase dhe për faktin se do të festojmë në shtëpi mund të jetë disi më ndryshe duke mos përfshirë thjesht pemën e Vitit të Ri por të gjithë shtëpinë. Si të bëjmë një dekor të këndshëm dhe minimalist? Këtë na e rrëfejnë në një intervistë për tirananews.al dy arreduesit Agisa Xhemalaj dhe Donald Lutaj.
INTERVISTA

Kemi hyrë tashmë në muajin e festave por ky vit do të jetë ndryshe nga vitet e tjera për shkak të pandemisë. Kemi parë që pema e Krishtlindjeve është dekoruar më herët, si një përpjekje kjo për të larguar mendjen e stresin nga situata e krijuar. Cilat janë sugjerimt apo trendet e këtij viti për dekorin e pemës?
Agisa Xhemalaj: Në fakt këtë fundvit ndryshe nga vitet e tjera buxheti është i limituar dhe tendenca të çon drejt kostos minimale e sigurisht që kosto minimale të çon drejt handmade. Dekore me material lowcost si druri , gazetat , thaset e vjeter , frutat janë zgjidhja më ekonomike për dekorin e këtij fundviti.
Materiali drurit në fakt i kombinuar me ndriçimet LED krijon dekore moderne por edhe minimaliste dhe mbi të gjitha druri është material i ngrohte që i rri mirë çfarë do lloje ambienti, një material i cili na largon nga ai “ luksi’ i materialeve të dekorit që jemi mësuar të shohim çdo vit por që na sjell ngrohtësinë psikologjike për të cilën këtë vit kemi nevojë më shumë se kurrë. Pastaj për të gjithë ata të cilët nuk kondicionohen nga buxheti për dekoret e këtij fundviti “dekoret me efektin pasqyrë” apo ato të kristalit sugjerohen gjithsesi këtë fundvit.
Si një arredues ne profesionin tuaj, çfarë mendoni se mund t’i shtohet dekorit të festave për këtë vit pasi krahas pemës së Krishtlindjeve dekori përfshin dhe ambientet e shtëpisë?
Agisa Xhemalaj: Elementi i cili ka një peshë kryesore por edhe më të rëndësishmen mendoj në krijimin e një atmosfere të ngrohtë, të veçantë e festive sigurisht që është ndriçimi , edhe në jetën e përditshme në fakt ndriçimi është ai që na e bën ta përjetojmë një ambient ndryshe. Evidentimi i pjesëve të veçanta. Brenda ambienteve të banimit në korridor apo dhoma, e sidomos në dhoma në mënyrë që festa të mos ndihet vetëm brenda ambientit të ndenjes apo ngrënies por të përjetohet në gjithë shtëpinë është e rëndësishme. Këtë vit në fakt më shumë se kurrë për shkak të situatës së rënduar është i nevojshëm dekori i fasadave apo i ambienteve të jashtme të banimit, pavarësisht dekoreve në qendër të qyteteve kemi të gjithë nevojë të ndjejmë më shumë se kurrë atmosferën e festës në çdo rrugë, në çdo cep që të ndikojmë sadopak në gjendjen emocionale të gjithësecilit. Por ka dhe element të tjerë në fakt që mund të shtojmë si perdet e rënda e të trasha e të derdhura, qirinjtë në çdo cep, jastëkët dekorativ por dhe mbulesat e pellushit mbi divanë bëhen pjesë e tablosë të ngrohtë e festive që duhet të na shoqëroj këtë vit.

Me shumë gjasë festa e Krishtlindjeve por dhe nata e ndërrimit të viteve do të festohet në shtëpi vetëm me familjarë, pa miq e të afërm. Çfarë sugjeroni t’i shtohet dekorit të tavolinës së mbrëmjes që të mund të ndjehemi njësoj si vitet e tjera?
Donald Lutaj: Nëse do duam të qëndrojmë gjithmonë tek buxheti i ulët sigurisht do i drejtohemi sërish “handmade” dhe materialeve “low cost”, materialeve dhe dekoreve që janë shumë afër natyrës. Si për shembull druri , frutat ( feta të prera të thata ose jo limoni apo portokallesh, shegesh ) apo qoftë edhe dekoret me degë bredhi që vendosen në qendër të tavolinës apo edhe tek pecetat. Qirinjtë dekorativ lundrues të vendosur brenda enëve transparente të qelqit në qendër të tavolinës të kombinuar me frutat apo me degët e bredhit dhe me dekoracione në formën e fjongove me materialin e thesit të vjeter do i jepnin një tjetër imazh e ngrohtësi tavolinës tuaj natën e ndërrimit të viteve do ishte kjo një zgjedhje por e zgjidhje e zgjuar me buxhetin minimal bejme diçka të veçantë që nuk e kemi bërë vitet e tjera dhe sërish qëndrojmë brenda atmosferës së bukur të festave.
Cilat janë ngjyrat e preferuara të këtij viti?
Donald Lutaj: Në fakt ngjyra bazë ajo që simbolizon festat, ngelet gjithmonë e kuqja e sigurisht që nuk ka për të dalë asnjëherë nga moda por këtë vit në fakt i shtohen edhe disa ngjyra të tjera siç janë ngjyrat e tokës kafe, bezhë por edhe bronz dhe argjend. Në fakt këto ngjyra vijnë edhe si pasojë e tendencave që kanë qenë për arredimin për vitin 2020 . Mjafton që ne t’i zgjedhim dhe t’i kombinojmë ngjyrat e propozuara për këtë vit duke u përshtatur edhe me ambientin tonë të banimit , sigurisht ajo që duhet të kemi gjithmonë parasysh është fakti se këto ngjyra në ambientet e banimit duhet të jenë në sintoni me ngjyrat e përzgjedhura në arredim në mënyrë që të krijohet një ambient i ngrohtë, mikpritës , qetësues dhe familjar në kuptimin e plotë të fjalës.
















