Alket Arapaj, 24 orë pas ngjarjes, ka qenë në gjendje të rënduar psikologjike, i shqetësuar më tepër për fatin e vajzës së tij 3-vjeçare, por nuk ka shfaqur pendesë për krimin. Arapaj mësohet të ketë deklaruar se e vrau bashkëshorten, Ervilma Seferajn, për shkak se dyshonte se takohej me persona të tjerë gjatë kohës që ai ishte në punë.
“Nuk më thoshte asnjëherë të vërtetën kur unë e pyesja për diçka që dyshoja. Nuk ishte e sinqertë me mua”, mësohet të ketë deklaruar koloneli i Gardës së Republikës, raporton Panorama. Nga ana tjetër, duke parë gjendjen psikologjike, vazhdimisht të rënduar, ai është dërguar në spital për një konsultë me mjekët, të cilët kanë konfirmuar se Arapaj është i aftë mendërisht. Nuk ka rezultuar të ketë probleme dhe sipas mjekëve, gjendja e tij e rënduar, lidhet me tronditjen e tij emocionale pas ngjarjes.
Nëna e një vajze 3 vjeçe u qëllua për vdekje nga bashkëshorti gardist, pas dyshimeve për tradhti mëngjesin e së martës, në Tiranë. Ngjarja e rëndë ndodhi rreth orës 06:00, në rrugën “Vangjel Capo”, në zonën e Alliasit.
