Ngritja e memorialit në përkujtim të të përndjekurve dhe persekucionit komunist gjatë 45 viteve diktaturë në Shkodër, është bërë motivi i radhës për akuza të tjera në drejtim të kryetares së Bashkisë Voltana Ademi nga shoqëria civile. Përmes një njoftimi në facebook, Ademi njofton se ”Bashkia e Shkodrës dhe Komisioni “Drejtësi e Paqe” kanë përzgjedhur projektin fitues, i cili sot ka nisur të zbatohet në sheshin para Bashkisë së Shkodrës”, thuhet në njoftimin në FB.
Kryetarja nuk jep detaje për veprën e cila do të vendoset në qendër të qytetit më të madh verior në vend, por kujdeset të njoftojë se do të jetë 5.5 metër i lartë dhe do të përfshijë në vetvete 8 figura që personifikojnë elementet e persekucionit komunist ndaj Shkodrës.
Por, gjithë kjo mungesë transparencë në vendimmarrje dhe tanimë edhe në ekzekutim të një vepre publike ka ngjallur reagimin e ashpër të shoqërisë civile. Në një status në faqen e Facebook “Shkodra asht Dashni”, drejtuesi i Eko Mendje Mirsad Basha ka lëshuar akuza të ashpra në drejtim të Ademit.
“Znj.Voltana Ademi, unë si qytetar i Shkodrës dhe jam i sigurte edhe shumë tjerë që dojnë ketë qytet, dona me e dit se çfarë doni me vendos në qendër të qytetit me nji lartësi 5.5 metra. Ne një kohe kur nuk keni ba as dëgjesa publike e as konsulta me artistat dhe keni ba vetëm nji konkurs “nen tavoline” për ketë vepër artit. Shumë turp për ju znj.Ademi që nuk prezantoni publikut bucelat konkurruese meqënëse kjo vepër 5 metërshe do jetë e Shkodrës dhe jo e jueja! Ne çdo qytet të Shqipënise prezantohet publikut dhe përveç artistëve merret edhe mendimi i tyre meqënëse do ndryshoje dhe imazhi i qytetit”, shkruan Basha.
Drejtuesi i Eko Mendje i bën thirrje këshillit Bashkiak dhe Prefektit të Shkodrës të marrin masa të menjëhershme për të bërë transparencën e domosdoshme me qytetarët, ndërsa nënvizon se kryetari i bashkisë nuk mund të bëjë supriza qytetarëve të saj.
“Jeni nji person i paafte dhe pa dashni znj.Voltana Ademi, jeni turpi ma i madh që ka pas ky qytet me drejtimin e nji kryetari bashkie”, shkruan Basha.