Gjatë javës së tretë të janarit, Shqipëria do të furnizohet me mbi 10 mijë doza vaksina anti-Covid Pfizer. Kryeministri Edi Rama ka premtuar se një pjesë të tyre do ta dërgojë në Kosovë, si ndihmë për mjekët. Express shkruan se janë 1 mijë e 900 persona pjesë e stafit mjekësor në Kosovë të cilët do të vaksinohen.
Institucionet e Kosovës dhe ato të Shqipërisë tashmë kanë shkëmbyer informatat rreth numrit të mjekëve që do të marrin vaksinën anti-Covid në Kosovë.
“Tashmë kanë ndarë sasinë e nevojshme të vaksinës anti-Covid për mantelbardhët të cilët janë të inkuadruar drejtpërdrejtë në trajtimin e pacientëve me COVID-19 në Kosovë”, ka thënë një burim për Ekspres.
Janë 1 mijë e 900 persona pjesë e stafit mjekësor të cilët do ta marrin vaksinën anti-Covid si ndihmë nga Shqipëria.
Ndërkohë, se Shqipëria do t’i dhurojë Kosovës vaksina kundër koronavirusit e ka bërë të ditur vetë Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, para pak ditësh në një konferencë për media. “Kosovës do t’i dhurojmë një sasi për vaksinimin e bluzave të bardha të spitalit COVID të Prishtinës, në mënyrë që heronjtë e vijës së zjarrit në Kosovë ta nisin vaksinimin në të njëjtën kohë me heronjtë tanë”, ka deklaruar Rama.
