Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, ka bërë një deklaratë për mediat lidhur me reformën zgjedhore, duke renditur katër çështjet kryesore që, sipas tij, duhet të adresohen.
Balla u shpreh se një nga prioritetet është depolitizimi i komisioneve zgjedhore, duke theksuar se kontrolli mbi procesin e votimit nuk duhet të jetë vetëm në duart e PS-së dhe PD-së, por duhet të përfshijë edhe përfaqësues jashtë politikës.
Ai u ndal edhe te roli i medias në zgjedhje, duke theksuar nevojën për rregullim të mbulimit mediatik, transparencës dhe financimit.
Një tjetër çështje, sipas Ballës, është përfshirja e administratës publike në proceset zgjedhore. Për këtë pikë, ai paralajmëroi se nëse opozita nuk pranon ta trajtojë përmes një marrëveshjeje ligjore, qeveria do të ndërhyjë me akte nënligjore, vendime apo udhëzime për zgjedhjet e 9 majit.
“Reforma zgjedhore ka katër çështje. Çështja e parë është depolitizimi i komisioneve zgjedhore. Kanë kaluar gjashtë vite dhe po bëhet viti i shtatë. Unë besoj se, edhe në funksion të një konteksti të ri politik, nuk mund ta kenë vetëm PS-ja dhe PD-ja kontrollin e plotë mbi procesin e votimit, por duhet të ketë një shumicë që vjen nga jashtë politikës. Le të hedhim një hap të madh drejt depolitizimit.
Dimensioni i dytë jeni ju, mediat. Të gjitha raportet kanë nxjerrë në pah se duhet një rregullim i mbulimit mediatik, i transparencës dhe i financimit.
Çështja e tretë lidhet me përfshirjen e administratës në zgjedhje dhe është një çështje që duhet adresuar. Nëse opozita nuk pranon ta adresojmë së bashku përmes ligjit, për zgjedhjet e 9 majit qeveria jonë do të ndërhyjë me akte nënligjore, me vendime apo udhëzime.
Çështja e katërt është financimi i partive politike dhe këtu jemi pa fjalë. Ka pasur një lexim të parë nga Komisioni i Venecias për draftin dhe ne do të marrim si shembull modelin më të mirë të ligjit për financimin e partive politike.”, theksoi ai.
